Rreth tre vite më parë, Rey Manaj debutoi me Kombëtaren shqiptare në miqësoren Kosovë-Shqipëri, duke shënuar edhe njërin prej golave të kuqezinjve. Aktualisht sulmuesi është rikthyer në përfaqësuese nga Cristian Panucci dhe do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë sërish, në sfidën miqësore ndaj Kosovës, më 29 Maj.

A është ky një fillim i ri për ju në Kombëtare?
Fillimi i ri duhet të jetë nga shtatori. Duhet të përgatitemi fort për këto dy ndeshje miqësore, sepse janë të rëndësishme. Nuk them dot se me Kosovën do të jetë më e lehtë, çdo futbollist dëshiron të fitojë.

A ishte zgjedhja e duhur transferimi te Granada?
Zgjedhja ishte e mirë. Patëm disa vështirësi në 5-6 ndeshjet e fundit, humbëm ritmin e fillimit. Kemi edhe disa ndeshje dhe shpresoj të futemi në Play off, e pse jo, të ngjitemi në La Liga

A ju kanë ardhur oferta?
Menaxheri më ka dhënë se kam disa oferta, por mendjen e kam te Kombëtarja. Kur të mbarojë gjithçka do të flas me menaxherin dhe do të bëjmë zgjedhjen më të mirë.

Mendoni se keni besimin e Panuccit dhe a keni komunikuar me të?
Kam folur me Panuccin, e ka bërë edhe menaxheri im. Fjalët që më ka thënë ishin pozitive, ato që kemi folur i dimë vetëm unë dhe ai.

Edhe Sadiku po has shumë vështirësi te Levante, kaq i vështirë është futbolli spanjoll?
La Liga ka dy ekipet më të mira në botë, Realin dhe Barcelonën. Edhe në Itali kampionati është i fortë, s’është e thënë se futbolli spanjoll është më cilësor se të tjerët.

Keni debutuar me Shqipërinë, duke i shënuar gol Kosovës pas vetëm pak sekondave në fushë…
Gjërat që kanë kaluar nuk i mban mend njeri, duhet të përqendrohemi tek e sotmja dhe e ardhmja, të harrohen atë që kanë ndodhur para tre viteve. E mendoj shpesh golin me Kosovën pas 10 sekondave në fushë, por duhet të shohim përpara. Në mosgrumbullimin tim në kombëtare kanë ndikuar disa faktorë, ka qenë zgjedhje e të tjerëve. Unë do të mundohem të bëj më të mirën.

Ju vini nga Kombëtare si lider i U-21, mendoni se do të jeni i rëndësishëm edhe këtu?
Lideri i U-21? S’më pëlqen ky etiketim. Të Shpresat ka shumë lojtarë premtues, si Bare etj., pas dy-tre vitesh do të jenë me Kombëtaren A. Të mos flasim përpara kohe, e lëmë me pikëpyetje, se gjërat nuk ndodhin pastaj.

Top Channel