Pas kalimit te Ostende erdhi edhe ftesa në kombëtaren kuqezi për ish sulmuesin e Kukësit, Sindrit Guri, autorin e 20 golave në këtë sezon të Superiores. Për herë të parë nga salla e konferencave të kombëtares kuqezi në Zurich të Zvicrës, Guri nuk i fsheh emocionet për këtë ndryshim të madh në karrierën e tij.

“Ishte një ndryshim i madh për vetë faktin se erdhi edhe ftesa në kombëtare, por edhe transferimi tek ekipi belg Ostende. Ishte një vit shumë pozitiv për mua, pasi sezonin e kaluar nuk kisha shumë hapësira. Kam bërë mirë në këtë sezon. Kukësi këtë vit u dha mundësi aktivizimi lojtarëve më të rinj në moshë, unë e shfrytëzova momentin tim dhe ja ku jam, ndodhem në kombëtare dhe dua të jap maksimumin për këtë fanellë”, tha sulmuesi shkodran.

Guri, Abazaj, Lilaj, Gavazaj dhe së fundmi Selmani janë futbollistët e grumbulluar në kombëtare nga kampionati shqiptar për miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Sipas 24-vjeçarit, rritja e cilësisë së Kategorisë Superiore është evidente.

“Kampionati shqiptar ka një rritje, kjo shikohet edhe në Europë me performancat që ka bërë Skënderbeu, por edhe Kukësi. Nëse ka rritje kampionati shqiptar, pse të mos grumbullohen edhe lojtarë nga kampionati ynë, siç ndodhi me mua dhe me Abazajn. Të tjerë lojtarë në të ardhmen që luajnë në kampionatin shqiptar mund t’i bashkohen kombëtares”, tha sulmuesi 24-vjeçar.

Për kombëtaren Guri do të ishte i gatshëm edhe të sakrifikohejm, edhe pse pranon se dëshira e tij është një dhe e vetme, të luajë në majë të sulmit.

“Unë jam sulmues dhe dua të luaj si sulmues, por për kombëtaren jam i gatshëm të sakfrikohem. Është trajneri ai që vendos për çdo gjë, unë mjaftohem të jem i gatshëm”, u shpreh Guri.

Top Channel