TopAwards/ Art Abazi: “Asnjo si ti” e ka zbukuruar “The Top List”

24/05/2018 20:03

Pavarësisht se ka publikuar disa projekte muzikore, për publikun shqiptar emri i Art Abazit nuk është shumë i familjarizuar. Ai është një tjetër artist, që prodhon muzikë të vërtetë, duke mos iu kushtuar shumë rëndësi videoklipeve apo mënyrave të ndryshme të promovimit.

Art Abazi ka vetëm pak ditë që ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Asnjo si ti”, një këngë që i përket zhanrit modern “pop”. Publikimi i tij më i ri është bërë pjesë e klasifikimit që në javën e parë që ajo ka dalë në treg, madje duke u renditur edhe në vendin e 63-të, një pozicion ky mjaft i mirë për listën, e cila përbëhet nga 100 këngë.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Art ka folur më shumë për muzikën dhe këngën e tij më të re, e cila i dedikohet dashurisë.

Top Awards: “Asnjo si ti” kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Art Abazi: Muzikën e kemi bërë bashkë me producentin e njohur Gent Myftarain, tekstin e kam shkruajtur vetë me një ndihmesë nga Arianit Palaj ndërsa videoja është realizim i produksionit “Imagine Films”. Producent i këngës është gjithashtu Genti.

TA: Cilës rrymë muzikore i përket?

Art Abazi: Kënga është një “modern pop” ashtu siç kam sjellë edhe këngët e tjera, jo shumë të zhurmshme…

TA: Për çfarë flet kjo këngë? Kemi të bëjmë me një histori “One Night Stand”? Nëse po, ju jeni pro apo kundra “One Night Stand”?

Art Abazi: Unë, pavarësisht që më rehat do ndihesha të këndoja këngë me tematika sociale, t’i këndosh dashurisë nuk na bën keq besoj… (buzëqesh). Eshtë e vërtetë, gjithçka në tekst është ndërtuar mbi idenë e “One Night Stand”, edhe pse ky fenomen ekziston dhe do ekzistojë gjithmonë, une e kam ekzagjeruar pak qëllimisht. Jam absolutisht pro nëse vërtetë shijohet dhe nuk mbetet asnjë pasojë emocionale.(Buzëqesh).

TA: Kjo këngë ka ardhur shumë e ëmbël, pse nuk ke preferuar të paraqisësh një vajzë në këtë videoklip?

Art Abazi: Jam shumë pishman për këtë gjë por asnjëherë nuk i kam kushtuar shumë rëndësi videove. Kanë një kosto modeste, edhe pse videoja e fundit është e xhiruar me një nga kamerat më të sofistikuara në industrinë e kinematografisë. Megjithatë nuk i kam ikur edhe shumë përmbajtjes së këngës. Gjithmone ka mirë e më mirë.

TA: Keni menduar të vini me ndonjë klip me femra provokuese në plazh, duke qënë se jemi në stinën e verës dhe shumë artistë ndjekin këtë mënyrë promovimi?

Art Abazi: Unë edhe pse besoj fort në thënien e vjetër të popullit: “Dhelpra kur nuk e mbërriti dot rrushin, tha, qenka i thartë”. Sinqerisht unë muzikën dhe këngën i kam vetëm pasion dhe nuk i ndjek as stinët as trendet e fundit as asgjë tjetër. Madje nga 5 këngët që unë kam publikuar, asnjërën nga ato nuk e kam promovuar ekskluzivisht apo t’ia dërgoj ndonjë televizioni. Natyrisht, kënaqësia është e padiskutueshme nëse do dëgjoheshin në masë më të madhe por asnjëherë nuk kam qënë imponues në këtë drejtim. Madje e kam me siklet këtë pjesë. Një publikim në rrjetet e mia sociale si Facebook apo Instagram, për mua mjafton. Ndihem i përmbushur plotësisht.

TA: Deri tani keni publikuar vetëm këngë “solo” keni menduar ndonjë bashkëpunim?

Art Abazi: Duke qënë të gjithë të vetëdijshëm për realitetin që na rrethon vitet e fundit, nuk besoj se ndokush ka interes të bëjë duet me mua për sa kohë funksionoj si në përgjigjen e mësipërme por nuk më mbetet merak edhe po të jetë kështu. Unë jam Art Abazi dhe do vazhdoj të sjell ndonjë këngë të lezetshme sa herë që do më jepet mundësia.

TA: Do kishit menduar një duet me Dren Abazin?

Art Abazi: Fatkeqsisht nuk i plotësoj kushtet të bëj duet me Dren Abazin.

TA: Muzika që ti dhe vëllai yt bëni ndryshon, e dëgjoni muzikën e njëri-tjetrit? Po kritika i bëni njëri-tjetrit?

Art Abazi: Ngaqë e shoh rrallë, nuk e di nëse vazhdon të më dëgjojë në formën e këngës sidoqoftë unë i dëgjoj krijimet e tij dhe gjithmonë do ta kenë një vend të veçantë në playlistën time të gjumit dhe jo vetëm…

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e “The Top List” për herë të parë?

Art Abazi: I privilegjuar !!! Edhe pse pa modesti, mendoj se “The Top List” është bërë më e bukur që kur “Asnjo si ti” u bë pjesë e saj.

TA: Pavarësisht se është shumë heret, kjo verë do të ketë ndonjë projekt tjetër?

Art Abazi: Gjithçka varet nga producenti Gent Myftaraj. Po qe ai në humor të mirë, gjithçka tjetër është e lehtë. Për mua është producenti më i kompletuar që kemi sa që ndonjëherë më vjen keq që produksionet e tij fantastike nuk po i përfaqëson një artist i verifikuar si i suksesshem por Art Abazi.

TA: Një mesazh për të gjithë ata që kanë votuar këngën tënde për të qënë pjesë e “The Top List”…

Art Abazi: Hmmm… Faleminderit të gjithëve për vlerësimin tuaj ndaj meje dhe këngës dhe ju them se vota (vleresimi) juaj është dhe do jetë forcë për mua për të kënduar ende…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA