Rrëfehet pas 20 vitesh.
Michel Platini pranon se Kupa e Botës 1998 ishte trukuar në mënyrë që Franca dhe Brazili të mos ndesheshin me njëra-tjetrën në asnjë fazë përveç se në finale. Ish-mesfushori, i cili ka qenë pjesë e komitetit organizator të atij turneu, pranon se ka ndërhyrë në short për të siguruar që vendi i tij të shmangte kampionët në fuqi.
Sipas rregullores së FIFA-s, vendi organizator i Botërorit e ka të sigurt vendin e parë në vazon e parë para hedhjes së shortit të grupeve, ndërsa shtatë kokat e tjera të grupeve zgjidhen automatikisht. Por në një intervistë radiofonike, Platini pranoi: “Kur organizuam kalendarin bëmë një truk të vogël”.
Brazili dhe Franca u vendosën pa short në grupin A dhe C respektivisht, e duke qenë se kalendari deri në finale ishte i organizuar që më parë, përballja ishte shmangur. “Nëse ne e mbyllnim grupin në vend të parë dhe Brazili gjithashtu, atëherë nuk do të mund të ndesheshim përveç se në finale. Mendoni se të tjerët nuk e bjënë këtë në Botërorët e tyre? Franca kundër Brazilit në finale, ishte ëndrra e të gjithëve”.
Franca mposhti në finalen e atij viti Brazilin 3-0, me dy gola nga Zinedine Zidane dhe një nga Emmanuel Petit, pasi të dy skuadrat i fituan grupet e tyre. Edhe për finalen pati shumë spekulime, kryesisht për formën e yllit brazilian Ronaldo, që luajti nën nivelin e treguar deri para ndeshjes.
Platini u përjashtua nga FIFA dhe UEFA në vitin 2015 për marrjen e pagesave “të pandershme” në vlerën mbi 1,5 milionë EURO nga Blatter pikërisht kur shihej si pasuesi i zviceranit në postin e presidentit të FIFA-s.
Top Channel