Me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë, kryeministrja britanike Theresa May vizitoi të enjten Shkupin ku prit me një ceremoni të lartë ushtarake.
Kryeministrja britanike shprehu mbështetjen për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, ndërsa theksoi nevojën për unitet kundër ndikimit rus në Ballkan.
Duke folur para gazetarëve, ajo theksoi nevojën për zgjidhjen e problemeve të së kaluarës:
“E di se konfliktet e së kaluarës ndonjëherë duken si të pamundura për t’u kapërcyer. Shumë çështje të vështira mbeten të pazgjidhura, përfshirë konfliktet e brendshme në rajon, kriminalitetin e organizuar, migracionin e paligjshëm dhe ekstremizmin. Duhet t’i kujtoni sfidat e së kaluarës por të mbeteni me ambicje për të siguruar të ardhmen paqësore, të begatë dhe demokratike, të cilën qytetarët dhe komunitetet tuaja e meritojnë. Me vullnetin e duhur politik, përparimi mund të arrihet shpejtë”, tha ajo.
Ndërkaq, kryeminstri maqedonas Zoran Zaev tha se itntegrimet euro-atlantike janë të rëndësishme për Maqedoninë dhe për rajonin.
“Për qytetarët e Maqedonisë paraqesin ekonomi dhe mirëqenie, ndërsa për rajonin, për BE-në dhe për botën paraqesin qëndrueshmëri dhe siguri. (Integrimet) janë pengesë për faktorë të tjerë që të qndrojnë në rrugën e së ardhmes të përbashkët që është në interes të të gjithëve”, theksoi Zaev.
Zonja May u takua me kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi. Kjo është vizita e dytë e një kryeministri britanik në Maqedoni, pas asaj të Tony Blair-it në vitin 1999.
Top Channel