Günter Verheugen, ish-Komisari gjerman i Zgjerimit të BE thotë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është aktualisht ftesë për të humbur zgjedhjet në Perëndim. Por ai e quan të paplotë BE pa Ballkanin Perëndimor.

Ish-Komisari i zgjerimit të BE, Günter Verheugen nuk sheh hapësirë veprimi për një anëtarësim të shpejtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Perspektiva kohore nuk është shumë premtuese” i tha socialdemokrati gjerman të enjten radios publike SWR.

“Sot gjendja është e tillë në Bashkimin Evropian. Kur një kryeministër ka dëshirë t’i humbasë zgjedhjet, i mjafton vetëm të thotë shumë shpesh dhe qartë, dua t’i anëtarësoj shtetet e Ballkanit në Bashkimin Evropian”, tha ai. “Është një deklaratë jopopullore, për ta thënë troç.”

Verheugen tha se çuditet që përmenden tashmë data konkrete. “Ideja ishte që të bëhet…atraktive gatishmëria për reforma, për ndryshime në këto shtete, përmes perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”

U mendua se këto shtete do t’i zgjidhnin më lehtë problemet e tyre të fqinjësisë dhe se do të bashkëpunonin më paqësisht, po të jenë së bashku në BE. “Në ndërkohë ne kemi mbledhur shumë përvoja dhe me një fjali të vetme mund të thuhet, se tek të dyja palët zhgënjimi dhe pakënaqësia janë shumë, shumë të mëdha.”

Por pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë bashkimi i Evropës në BE nuk është i plotë, tha Verheugen. Alternativa ndaj një bashkëpunimi ndërrajonal në BE nuk është realiste: një bashkëpunim ndërrajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor refuzohet në rajon si një lloj ripërtëritjeje e Jugosllavisë.

Shefat e shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare të BE takohen këtë të enjte në Sofie me homologët e tyre nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Takimi i nivelit të lartë synon të inkurajojë Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për reforma të mëtejshme. Në plan afatmesëm ato do të kenë shansin për t’u anëtarësuar në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA