Donald Trump është ende i gatshëm të takohet me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong-un, muajin e ardhshëm, pavarësisht një deklarate nga Peniani se vendi komunist nuk është i interesuar të diskutojë kërkesa të njëanshme për heqjen dorë nga armët bërthamore.
I pyetur nëse takimi i planifikuar për më 12 qershor në Singapor është ende në fuqi, Trump tha “do të shohim çfarë do të ndodhë”, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim se koreano-veriorët e kanë anuluar atë.
Presidenti tha se ai do të këmbëngulte në denuklearizimin e gadishullit në takimin me Kim. Sidoqoftë, fjala është e vagët.
Koreja e Veriut e përdor denuklearizimin për të përshkruar një proces afatgjatë, në të cilin të gjitha fuqitë bërthamore do të çarmatosen, ndërsa zyrtarë të administratës “Trump” e kanë interpretuar si çmontim dhe shkatërrim të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe programeve të raketave me rreze të gjatë veprimi.
Kjo paqartësi, që lejon ecjen përpara me planet për takimin e parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi koreano-verior, duket se është thelluar gjatë fundjavës, kur John Bolton, këshilltari për Sigurinë Jombëtare i Trumpit, dhe Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit, u shfaqën në programe informative për të dhënë versionet e tyre thuajse të ndryshme mbi pozicionin negociues të Shteteve të Bashkuara.
Bolton dhe Pompeo folën për një presion maksimal të Trumpit, që e kishte detyruar Kimin të ulej në tryezën e negociatave. Por, Bolton shkoi sidoqoftë më larg sesa Pompeo në përcaktimin e denuklearizimit.
Ai tha se denuklearizim do të thotë heqje qafe e të gjitha armëve bërthamore, çmontim dhe dërgimi i tyre në Oak Ridge në Tennessee. Gjë që do të thotë heqjen dorë nga aftësitë e pasurimit të uraniumit dhe riprocesimit të plutoniumit.
Më herët, ai kishte thënë se në çarmatimin e Koresë së Veriut duhej përdorur modeli libian, duke iu referuar heqjes dorë nga programi embrionik i armëve bërthamore të tij në vitin 2003. Zyrtarët koreano-veriorë, më shumë sesa këtë, kanë pasur parasysh vdekjen e Gaddafit, gjë që ka sjellë edhe tensione.
Top Channel