Greqia dhe Maqedonia konfirmuan këtë të enjte se kanë bërë mjaftueshëm progres në bisedimet për zgjidhjen e ngërçit disa dekadësh mbi çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave, megjithëse Athina u tregua e kujdesshme të theksonte se ishte ende herët të flitej për një marrëveshje.
Emri i Maqedonisë ka qenë “molla e sherrit” mes dy vendeve për dekada, duke penguar shpresat e shtetit të vogël por strategjik të Ballkanit, që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Europian, aty ku Greqia ka të drejtën për të vendosur veton.
“Besoj se kemi përshkuar pjesën më të madhe të distancës, por kemi ende për të përshkuar”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras për gazetarët. Ai shtoi se progresi ka qenë thelbësor, por konfirmoi se negociatat ishin komplekse dhe shumëfaqëshe. “Nuk jemi ende në pozicionin për të folur mbi një marrëveshje”.
Tsipras foli pas takimit me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, në Sofje, ku morën pjesë në samitin e Bashkimit Europian me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kemi diskutuar një zgjidhje specifike për mosmarrëveshjen e emrit, që do të ishte e pranueshme për të dyja palët, por duhet të zhvillojmë bisedime më të thella në vendet tona respektive”, deklaroi Zaev.
Tsipras shpresonte ta takonte sërish Zaevin muajin e ardhshëm, përpara samitit të BE-së që është parashikuar të mbahet në fund të qershorit.
Athina, siç u shpreh Tsipras, kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të kishte jetëgjatësi.
Proceset e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE janë bllokuar nga Greqia, e cila kundërshton emrin e fqinjit të saj verior me justifikimin se ai nënkupton një pretendim territorial mbi provincën e saj veriore me të njëjtin emër.
Një marrëveshje mes dy vendeve do t’i hapte rrugën Maqedonisë të niste bisedimet e anëtarësimit me BE-në dhe NATO-n.
Top Channel