Protestat palestineze në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit janë pakësuar gjatë dy ditëve të fundit, e sipas Izraelit, kjo ndodhi pas ndërhyrjes së Egjiptit për të rikthyer qetësinë.
Zyrtarë izraelitë thanë se shërbimet sekrete egjiptiane paralajmëruan kreun e Hamasit, Ismail Hanieh, se Kajro ka prova që Hamasi financoi protestat dhe dërgoi civilë, gra e fëmijë në kufi, për të shërbyer si armë.
Sipas vendit hebre, Hamasi mori mesazhin se, nëse kjo vazhdon, Izraeli do të reagojë mjaft ashpër, ndërsa Egjipti nuk do të bëjë asgjë për të ndihmuar.
Egjipti nuk e komentoi raportin izraelit, por Hamasi e hodhi poshtë si të rremë.
Protestat në kufirin e Gazës janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa Izraeli vazhdon të mbrojë reagimin e tij të ashpër, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Brenda në Izrael, thuajse nuk ka kundërshtim ndaj taktikave vdekjeprurëse në Gaza, ku gjatë dekadës së fundit vendi hebre ka zhvilluar 3 luftra ndaj Hamasit, një grup i betuar që të zhdukë shtetin hebre.
Analistët thonë se, nëse protestat do të rikthehen të premten, siç është bërë thirrje nga Hamasi, mund të jetë një shenjë që kjo organizatë nuk është tërhequr, gjithsesi mbetet për t’u parë.
Protestat masive në kufi mes Rripit të Gazës dhe Izraelit nisën më 30 mars dhe u quajtën “Marshimi i madh i rikthimit”, pasi palestinezët kërkojnë të kthehen në tokat nga të cilat ia mbathën apo u dëbuan gjatë luftës së vitit 1948, vit që solli edhe krijimin e Izraelit.
Të hënën, 60 vetë u vranë në kufi nga ushtria izraelite, pasi hapja e Ambasadës amerikane në Jeruzalem padyshim që shtoi tej mase tensionin.
Top Channel