Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, për të cilat demokratët akuzojnë Fatmir Xhafën se ka falsifikuar dokumentet shtetërore për të shmangur ekstradimin e të vëllait në Itali, socialistët ia faturuan ekspertëve të nivelit të lartë që asistonin Komisionin e Ligjeve për Reformën në Drejtësi.
“Gërma në fjalë, pra gërma F e nenit 491 nga dokumentat del që është reflektuar në një nga draftet e përmirësuara të grupit të punës diku nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit. Më datë 13 mars 2017, që ka qenë mbledhja e parë e Komisionit të Ligjeve ku është diskutuar në parim projektligji për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale gërma F e nenit 491 ka qenë e reflektuar”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.
Në krah të Ulsi Manjës, që në 2017-ën ishte relator i projekt/ligjit, u shfaq edhe Vasilika Hysi, që kishte paraqitur draftin. Ajo pranoi se nuk kishte reflektuar siç duhej Protokollin shtesë të Konventës Europiane për Ekstradim.
“Në opinionet me shkrim të sjella nga OPDAT dhe Prokuroria e Përgjithshme është kërkuar që neni 491, pra përmbajtja e tij të rishikohet. Pra projektligji i depozituar nga ana ime nuk është falsifikuar, por është përmirësuar”, përforcoi deputetja socialiste.
Konventa e marrë si shembull nga mazhoranca thotë se ekstradimi mund të refuzohet nëse nuk jepen garanci për rigjykim, kur të dënuarit nuk i është ofruar mbrojtja minimale.
Ky kusht i mbrojtjes minimale nuk gjendet në ligjin shqiptar, formulimi i të cilit është më i përgjithshëm duke i dhënë mundësinë kujtdo të refuzojë ekstradimin nëse shteti tjetër nuk pranon rigjykimin.
“Ne e kemi bërë më të përgjithshme pa hyrë në detaje”, thotë Hysi.
Ky përgjithësim i lejon Agron Xhafajt të refuzojë ekstradimin në Itali, ndonëse mbrojtja minimale i ishte ofruar në proces, ku përfaqësohej nga avokatët.
Top Channel