Mësim me tablet, projekti në pak shkolla. Fondi është përdorur i gjithi

12/05/2018 15:10

Një nga premtimet e Edi Ramës në qershor të vitit 2013, disa ditë përpara zgjedhjeve qendrore, ishte pajisja e të gjitha shkollave të mesme dhe 9-vjeçare me tableta elektronike.

Por, 5 vite më vonë, ministria e Arsimit thotë për Top Channel se ky është një projekt pilot, që parashikon ngritjen e 120 klasave interaktive në 60 shkolla të arsimit të mesëm në të gjithë Shqipërinë.

Ministria është hermetike për të dhëna konkrete, se sa është numri i tabletave të shpërndara në shkolla. Ajo që dihet është se në vitin 2014 për blerjen e tabletave janë shpenzuar nga buxheti 700 milion lekë, që do të shërbenin për të pajisur të gjitha shkollat e vendit.

Top Channel ishte në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë, ku gjenden 120 tableta. Rezulton se programi e-learning është i integruar, por e vërteta është se jo të gjithë mësojnë me tableta.
“Jo çdo orë bëhet me tableta. kur shoh që duhet, e bëj. ne kemi librin dixhital të instaluar në laptopin e klasës dixhitale. për temën që kërkoj, i orjentoj të gjejnë info për dukurinë që flasim. problemi që ndeshim, është se klasat janë të gjitha të zena dhe akomodimi i nxënësve është problem”, thotë mësuesja Anila Hodo.
Mes mësuesve ka edhe nga ata që e kanë patur të vështirë përdorimin e teknologjisë

“Ne mësuesit që kemi periudhë të gjatë kohore kemi një farë vështirësie. mësim me tabletat nuk zhvillohen në të gjitha klasat. 2 orë në javë i kemi dixhitale, të tjerat janë tradicionale”, thotë mësuesi Agim Fejza.

Ndonëse për nxënësit përdorimi i tabletave sjell avantazh gjatë mësimit, nuk mungojnë edhe kritikat .

“Në një orë tradicionale mësimi ti pret vetëm nga mësuesi, ndërsa në një orë dixhitale ku ti informacionin mund ta zgjerosh duke e marrë nga interneti. Mësimi dixhital bëhet më shumë në lëndët shkencore pasi ka më shumë stimulime, gjysmën e orëve e bëjmë me tableta. Zakonisht në javë rreth 1 orë e bëjmë dixhitale. Do donim të fiteshin edhe lëndët shoqërore, që do na e bënin mësimin më të lehtë në këto lëndë. Ka shumë nxënës dhe nuk është e mundur që tabletat të përdoren në çdo lëndë dhe orë mësimi, thotë një prej tyre.

Sipas dokumentit të strategjisë së zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, gjate vitit 2013 numri i tabletave ishte 0. Ne vitin në vitin 2017 synimi i Arsimit ishte që shkollat të pajiseshin me 12 mijë tableta për 10 mijë nxënës. Por, në praktikë në vitin 2016, ministrja Nikolla tha se gjatë pajisjes se 60 gjimnazeve në të gjithë vendin janë investuar nga qeveria 3.5 milion dollarë për tableta, megjithëse që prej asaj deklarate dhe aktualisht nuk dihet se për çfarë u shpenzuan 3.5 milion dollarët e mbetur nga fondi i lëvruar në 2014-n.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA