Sulmi hakmarrës i Izraelit kundër bazave iraniane në Siri është përballja më e drejtpërdrejtë në të gjithë historinë e të dy vendeve. Sulmi u ndërmor pasi bazat iraniane në Siri lëshuan predha në territorin izraelit të Golanit. Përshkallëzimi ka ngjallur shqetësimin se midis dy vendeve mund të ketë luftë.

Por askush nuk do të angazhohet në luftë me tjetrin. Hedhja e raketave në Golan ishte produkt i presionit të krijuar nga konflikti sirian. Nëse SHBA-të nuk ndërhyjnë me një plan konkret për Sirinë, Irani dhe Izraeli do të vazhdojnë të përplasen prapë.

Irani e sheh praninë në Siri si thelbësore për ndikimin në Levant, pasi dërgon armë për Hezbollahun në Liban nëpërmjet territorit sirian. Ndikimi iranian në Siri është rritur shumë që pas vitit 2011, kur regjimi i Asadit nisi të krijojë varësi nga ndihma e tyre, për shkak të nevojës për mbijetesë.

Por shtimi i trupave iraniane në Siri, qoftë nëpërmjet Trupave të Gardës Revolucionare, ashtu edhe nëpërmjet Hezbollahut, ka rritur ankthin në Tel Aviv. Izraeli i ka sulmuar shpesh luftëtarët iranianë dhe të Hezbollahut, çdo herë që veprimtaritë e tyre në Sirinë e Jugut përfundonin pranë kufijve të Izraelit.

Iranit i është shtuar presioni tani që gjendet pothuajse i rrethuar gjeografikisht në Siri: Jugu i Sirisë bie nën mbikëqyrjen e Izraelit dhe Jordanisë, Turqia kontrollon de-fakto veriperëndimin, ndërsa Forcat e Mbrojtjes Siriane, të mbështetura nga SHBA, kanë në dorë verilindjen.

Irani ishte vendi i huaj më i fuqishëm që po mbështeste regjimin e Asadit, derisa Rusia hyri në lojë. Kjo dinamikë nuk është aspak e rehatshme për Iranin, sepse Rusia kërkon ta marrë për vete të gjithë timonin. Iranin e sheh si burim trupash në terren që mbështesin forcat ajrore të Rusisë sa herë që bombardojnë rebelët sirianë.

Marrëdhënia e mirë e Rusisë me Izraelin luan gjithashtu një rol të madh në përpjekjet për ta mbajtur Iranin nën kontroll. Rusia i ka dhënë shpesh informata Izraelit për vendndodhjen e bazave iraniane në Siri, shënjestra të cilat Izraeli i ka sulmuar me saktësi të lartë. Incidenti më i fundit ndodhi në Prill, kur avionët izraelitë sulmuan Bazën 47 në Siri. Irani pranoi publikisht vdekjen e 18 ushtarëve, por burime në Siri thanë se të vdekurit shkuan në gati 200.

Disa analistë e kanë lidhur sulmin me raketa në Golan me njoftimin e Trump-it, që thoshte se SHBA-të do të tërhiqeshin nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e quajtur JCPOA. Por tërheqja ishte thjesht në kohën e duhur. Që para njoftimit Trump kishte emëruar në qeveri persona të njohur si kundërshtarë të fortë të Iranit, që nga Mike Pompeo (Sekretar Shteti) dhe John Bolton (këshilltar sigurie). Këto emërime treguan rëndësinë që po merrte çështja e Iranit për administratën Trump. Tërheqja nga JCPOA mund të shihet si çasti kur SHBA-të i treguan Iranit se lufta tani ishte pa dorashka, por kjo kishte kohë që ziente në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Me presionin nga Amerika dhe tashmë që marrëdhëniet me Rusinë po ndërlikoheshin, Irani duhej të  ruante imazhin. Sulmi që ndërmori kundër Izraelit ishte i tillë që të mos shpallte luftë frontale, por Izraelin e provokoi mjaftueshëm sa për t’u angazhuar në hakmarrje. Nëse Irani nuk e ul dot presionin që i bëhet, atëherë taktika është që t’i shkaktojë sa më shumë dhimbje kundërshtarëve. Por meqë as Irani dhe as Izraeli nuk kanë interes të futen në luftë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, të dy palët kanë nevojë ta mbajnë dhunën jashtë kufijve të territoreve të tyre. Siria është tashmë arena ku mund të luftojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por prapë, duke shkaktuar dëme minimale. Për këtë arsye, përshkallëzimi i përplasjeve midis Iranit dhe Izraelit në territor Sirian pritet të shtohet.

Irani do të vazhdojë të ndërhyjë në Liban e Siri, duke provokuar Izraelin, për sa kohë që ndien se ka aftësinë të ruajë ndikimin në Levant. E vetmja gjë që do ta bënte Iranin të tërhiqej do të ishte nga ndjesia se po bënin një luftë të humbur. Nëse SHBA-të i paraqesin Rusisë një plan për t’i dhënë fund konfliktit me Sirinë, kjo do t’i dërgonte një mesazh Iranit.

Iranit do t’i mbetej që ose të angazhohej në një luftë të hidhur, me shpresën se do të përsëriste vitin 2006, kur Izraeli sulmoi Hezbollahun në Liban, por dështoi ta çrrënjoste; ose do të pranojë të bëjë një marrëveshje tjetër me SHBA-të dhe Izraelin. Iraku mbetet më i rëndësishëm për Iranin se sa Levanti, të dyja për shkak të afërsisë gjeografike dhe rëndësisë fetare që ka për shiitët. Për këtë arsye, Irani nuk e do Irakun të destabilizuar. Kjo mund t’i detyrojë të pranojnë një marrëveshje që ruan stabilitetin në Irak, dhe si këmbim mund t’i dorëzojë Rusisë ndikimin që kanë në Siri. Por Irani nuk do të bëjë kompromis nëse nuk i mbetet si zgjidhje e vetme.

Mbetet për t’u parë se cilën rrugë do të ndjekë Irani, por Izraeli s’ka për ta pritur vendimin e tyre me durim të madh.

Lina Khatib, the Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA