Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës e që prej së mërkures edhe udhëheqës i partisë më të re në vend, deklaroi se socialdemokratët do të jenë një prej forcave kryesore politike të Kosovës.
Me përparësi, sidoqoftë, Ahmeti vazhdon të shohë punën e tij në krye të Komunës së Prishtinës.
“Unë jam kryetar komune. Këtu e kam mandatin nga qytetarët për të qeverisur me Komunën e Prishtinës. Ka mjaftueshëm punë dhe këtë do ta konsideroj prioritet. Megjithatë, PSD-ja tashmë është një forcë parlamentare me dy deputetë dhe dy komuna, përfshirë këtu Prishtinën dhe Kamenicën, që na bëjnë një prej subjekteve kryesore në vend. Por, unë besoj që edhe në të ardhmen, PSD-ja do të jetë një prej forcave kryesore në vend”, tha Shpend Ahmeti.
I pyetur mbi mundësinë e reformimit të institucionit të drejtuar prej tij, Ahmeti sqaroi se nuk do të ketë ndryshime dhe se është shumë i kënaqur me punën e drejtorëve që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes.
Kryekomunari i Prishtinës shprehet madje i hapur për bashkëpunim me kolegët e Lëvizjes, nga radhët së cilës u largua, për të cilët thotë se duhet t’i kundërvihen së bashku fenomeve negative e jo ta kthejnë luftën kundër njëri-tjetrit.
Top Channel