Pompeo në Korenë e Veriut për të caktuar temat e takimit Trump-Kim Jong un

09/05/2018 05:28

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo është nisur sërish drejt Koresë së Veriut për të diskutuar takimin e shumëpritur të liderit Kim Jong un me presidentin amerikan Donald Trump. Vetë Trump, gjatë konferencës për shtyp ku njoftoi tërheqjen e SHBA nga pakti me Iranin, tha se Pompeo është rrugës në misionin e tij për të planifikuar dhe ndërtuar marrëdhënie.

Kjo është hera e dytë në një muaj që Pompeo viziton Korenë e Veriut po për të njëjtin qëllim. Vizita e parë u bë në fshehtësi, por pas zhvillimeve historike mes dy koreve, e dyta po kryhet mjaft hapur dhe tregon se palët janë të gatshme për t’u marrë vesh. Analistët thonë se mbase vizita e Pompeos mund të ketë edhe një qëllim të fshehtë pas lajmërimit të Trump për paktin me Iranin, të sigurojë Penianin se me ata Trump s’do bëje kthesa të tilla të bëfta.

Siç kishte premtuar dhe duke trazuar mjaft ujërat në botë, presidenti amerikan Donald Trump tha se do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor me Iranin. Duke e cilësuar marrëveshjen e 2015-s të kalbur, Trump tha se ajo ishte një turp për të si qytetar amerikane. Duke shkuar kundër këshillave të aleatëve evropianë, Trump tha se do të rivendosë sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Iranit që u anuluan pas firmosjes së marrëveshjes në 2015. Pakti parashikon reduktimin e programit bërthamor iranian në këmbim të heqjes së sanksioneve.

“Kur SHBA po ushtronte presion maksimal, kjo marrëveshje i dha këtij regjimi, një regjim terrori, miliarda dollarë. Nëse e lejoj marrëveshjen, do të kemi shpejt një garë armësh bërthamore në Lindjen e mesme. Të gjithë do të duan armët e tyre ashtu si Irani”, u shpreh Trump.

Vetëm Izraeli ndan pikëpamjen e Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanmjahu nxitoi të mbështesë SHBA për largimin nga pakti me Iranin. Presidenti i këtij të fundit, Hasan Rouhani shprehu zemërimin e vendit të tij dhe tha se SHBA tregoi që nuk respekton angazhimet e saj. Në të njëjtën linjë, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes një komunikate të përbashkët thanë se i vjen keq për vendimin amerikan.

Kryediplomatja e BE Federika Mogherini tha se Brukseli është i vendosur të ruajë marrëveshjen, megjithëse kjo s’është e qartë si mund të realizohet, pasi largimi amerikan i jep praktikisht fund asaj. Firmëtarët e tjerë të paktit, përfshirë Kinën dhe Rusinë e prisnin vendimin e Trump, por do të jenë zënë në befasi nga vendosmëria e tij për të rivendosur sanksionet e ashpra sa më shpejt, diçka që paraqet një kleçkë serioze. Rikthimi në gjendjen e dikurshme thuajse nuk lë vend për manovrime diplomatike, por përbën një problem serioz për atë që duan të bëjnë tregti me Iranin, pasi tashmë do ti duhet të shkelin sanksionet amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA