Rama: S’ka arrogancë me biznesin e vogël, pse rritëm çmimin e naftës…

08/05/2018 22:49

Kohët e fundit ka pasur edhe një përplasje të biznesit të vogël dhe qeverisë, pas vendimit të kësaj të fundit për të përfshirë këtë kategori në sistemin e TVSH-së.

Përfaqësues të këtij biznesi kanë akuzuar gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin për arrogancë, por vetë Edi Rama mohoi kategorikisht këtë.

“Nuk pranoj të ketë arrogancë, por edhe gabim në rastin e përfshirjes së biznesit të vogël në TVSH, kjo sepse vetëm 10 % e bizneseve të vogla, pra më pak se 10 mijë të tillë, preken nga përfshirja në skemën e TVSH-së. Madje mund të them se për biznesin e vogël, por edhe për 97 % të shqiptarëve, kemi ulur taksat që nga dita e parë që kemi ardhur”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se taksat janë rritur vetëm për biznesin e madh, por edhe për naftën, që gjithsesi theksoi se sërish është më i ulët sesa ishte para 4 vitesh, për shkak të rënies së çmimit edhe në bursë.

“Unë e kam pranuar se e vetmja taksë që kemi rritur, është ajo e karburantit, çmimi i të cilit gjithsesi është më i ulët sesa ishte 4 vite më parë, kjo edhe për shkak të rënies së tij në tregun ndërkombëtar. Aktualisht shqiptarët shpenzojnë rreth 100 milionë dollarë më pak për karburant, gjatë një viti, ndonëse kanë edhe një taksë më të lartë. Ne vendosëm të rritim taksën e karburantit, pasi ishim në një situatë shumë të vështirë ekonomike, ku Berisha fliste gjithë ditën për skenarin grek, që ishte vërtetë një kërcënim real për atë periudhë kur morëm drejtimin e vendit”, tha kryeministri Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA