Kokëdhima i përgjigjet ambasadorit Lu. Ish-deputeti: Lajthitje përmendja e emrit tim

08/05/2018 12:14

Pak ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu përmendi me emra disa politikanë që nuk janë më në skenën politike, pas denoncimit në media. Ndër ata ishte edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, i cili iu përgjigj ambasadorit. Kokëdhima e quan një lajthitje dhe tha se heqja e mandatit të tij ishte një komplot i gjykatësve me Edi Ramën dhe Sali Berishën.

“Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Elvis Roshin, Mark Frrokun, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve, këta politikanë nuk janë më në Kuvend apo bashki”, deklaronte ambasadori amerikan Donald Lu.

Koço Kokëdhima iu përgjigj në një intervistë këtyre deklaratave, duke sulmuar ashpër ambasadorin amerikan: “Ai rreshtim i imi në këto emra, sigurisht që është një lajthitje. Unë duhet të besoj që është një lajthitje. Nuk kam qenë asnjëherë subjekt i dekriminalizimit dhe unë nuk jam gjykuar. Unë nuk kam pasur asnjë akuzë. Unë nuk jam fajësuar për asnjë çështje. Papajtueshmëria e mandatit nuk është krim. Edhe kur është korrekt. Jo më kur është bërë nga ana gjykatësve të korruptuar që i keni parë se si kanë përfunduar”.

Kokëdhima flet edhe për ata që, sipas tij, komplotuan kundër mandatit të tij: “Ata gjykatës të korruptuar, në bashkëpunim me kryetarët e partive të vjetra, komplotuan kundër mandatit tim”.

Ish-deputeti socialist flet për emrat e tjerë që ambasadori Lu përmendi pak ditë më parë, si të inkriminuarit e larguar nga politika, por që, sipas tij, në PS shiheshin si modele suksesi.

“Unë e kam kundërshtuar energjikisht cilindo emër që ka qënë i papërshtatshëm, nga Sajmir Tahiri e deri në fund. Unë i kam kundërshtuar pranë Edi Ramës dhe i kam thënë që çdo njeri që përfshin që ka precedentë penalë, do t’i gjesh përpara. Tahiri nuk ishte as për ministër, as për pozicion tjetër të lartë”, tha Kokëdhima.

Në fund, Koço Kokëdhima tregoi se pas ikjes nga PS-ja u ul në një tryezë në takim me partitë opozitare, bashkë me Bashën, për të cilin thotë se më pas u zhgënjye: “Vajtën u regjistruan, e harruan opozitën. Opozita artikulonte kërkesa për reformën zgjedhore, ai shkoi me Ramën dhe u regjistrua për zgjedhje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA