OKB, porosi Trumpit për Iranin: Po u tërhoqët, ka rrezik real për luftë

03/05/2018 08:11

Kombet e Bashkuara i kërkojnë Donald Trumpit të mos heqë dorë nga marrëveshja me Iranin.

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres i tha BBC-së se, përmbysja e paktit të arritur me shumë mundim në vitin 2015 bart në vetvete rrezikun real të një lufte.

“Janë kohë të vështira këto në të cilat jetojmë, – u shpreh numri një i OKB-së. – Nuk mund të heqim dorë nga ajo që duhet konsideruar si një fitore e rëndësishme diplomatike, nëse nuk na paraqitet ndonjë alternativë më e mirë”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka qenë prej kohësh kritik i paktit dhe paralajmëron largimin e Shteteve të Bashkuara prej tij, ashtu siç ka bërë edhe me nisma të tjera të paraardhësit të tij, Barack Obama.

Reagimi i Guterresit vjen pak ditë pasi Izraeli bëri publike ato që i përshkruante si “dosje sekrete bërthamore”, me të cilat e akuzoi Teheranin se i ka vazhduar në fshehtësi përpjekjet për krijimin e armëve bërthamore.

Por, çfarë thotë Irani vet? Për presidentin e tij, Hassan Rouhani, Donald Trump nuk ka asnjë të drejtë të rinegociojë marrëveshjen 7-palëshe, të cilën – siç thotë ai, – po e shkel me dashaligësi.

Republika Islamike këmbëngul se raketat e testuara prej saj nuk e kanë aftësinë e bartjes së kokave me mbushje bërthamore, ndërsa vazhdon të përsërisë se programi i saj atomik është paqësor dhe vetëm për qëllime energjetike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA