Vasili: Vazhdojnë protestat. Mazhoranca e ka lënë vendin pa drejtësi

02/05/2018 12:40

PD ka vendosur se do të vijojë të mbajë një qëndrim të kushtëzuar me Parlamentin dhe se opozita do të vazhdojë aksionin e saj në të gjitha format.

Përveç komisioneve, demokratët do të vijojnë të mbajnë një qëndrim të njëjtë edhe në seancat plenare, duke nisur nga séanca e nesërme, që me gjasë nuk do të jetë normale. Sipas saj dy janë çështjet kryesore, arrestimi i Saimir Tahirit dhe lirimi i kuksianëve të arrestuar. Por a është ky qëndrim i demokratëve në unison me LSI?

Nga selia e LSI, foli në një lidhje të drejtpërdrejt në edicionin e orës 12:00 të lajme në Top Channel kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili.

TCH: Vasili, ju sapo përfunduat mbledhjen e grupit tuaj parlamentar, përpara seancës të së enjtes. Dolët me një qëndrim zyrtar? A do të jetë ajo një seancë normale?

Petrit Vasili: Përfundimisht për zgjedhjen e qëllimtë dhe tinëzare të mazhorancës ky parlament ka hyrë në një rrugë anormale dhe dita e nesërme është pikërisht një ditë anormale pasi po nesër një nga çështjet që është planifikuar të diskutohet është ligji për strehimin social, i cili është futur në mënyrë të dhunshme nga mazhoranca në rend të ditës, duke mbledhur në mënyrë të njëanshme komisionet dhe duke u përpjekur të uzurpojë në të gjitha drejtimet Parlamentin shqiptar. Mazhoranca ka bërë zgjedhjen e saj për shkatërrimin e parlamentarizmit.

TCH: A ka një dakordësi në vazhdim për aksionin që do të ndjekë opozita, bashkë me PD? Siç ishte protesta e 31 marsit apo lufta dhe përballja me qeverinë do të bëhet vetëm në parlament? A do të vijojë mosbindja civile edhe jashtë sallës?

Petrit Vasili: Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit. Ky vendim që ka marrë fronti opozitar do të vijë edhe në vazhdim. Këtë qëndrim të tillë e kanë imponuar qytetarët shqiptarë, pasi kjo qeveri sjellë dëme në të gjitha fushat e jetës. Pikërisht për këtë arsye të madhe ne sot jemi në një moment tronditës ku pak ditë më parë SHBA publikoi një raport të frikshëm, ku thuhet se Shqipëria është kthyer në një lavatriçe për paratë e pista. Së dyti, është kthyer në një vend kyç për trafikun e marijuanës dhe heroinës, në nivel ndërkombëtar dhe botëror. Është një situatë tronditëse që kërkon qëndrim në të gjitha frontet. Të gjitha format e protestës do të vazhdojnë të rrepta dhe të forta.

TCH: Në një prononcim për TCH një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu tha se politikanët kanë frikë dhe ndaj po përhapin idenë se reforma po dështon. Kush ka faj në gjithë këtë mes për faktin që institucionet e reja drejtësisë ende nuk po ngrihen?

Petrit Vasili: Ambasadorët nuk mund të akuzohen për faje, pasi jemi në shqiptarët që marrim vendimet tona. Por fajtori është një dhe i vetëm, mazhoranca. Opozita nuk ka asgjë në tavolinë ku i kërkohet një dakordësi, ku i kërkohet një votim apo edhe qëndrim. Të gjitha institucionet janë bllokuar me një qëllim të plotë për të dekapituar drejtësinë shqiptare. Pandëshkueshmëria e mazhorancës është arsyeja e vetme. Qytetari i thjesht, duke filluar nga unë, nuk kanë se ku të ankohen sepse inspektori i lartë i drejtësisë nuk ekziston. I vetmi institucion që do të mblidhte të gjitha ankesat. Sot për shkak të mazhorancës, shqiptarët janë pa drejtësi. Mazhoranca ka bërë të pamundurën për ta deformuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA