Takimet që i quan “Llogaridhënie para qytetarëve”, Kryeministri Edi Rama i nisi nga Tirana.
Përpara pjesëmarrësve, Rama kujtoi “tepsinë”.
“Kemi marrë votën jo për të marrë të gjithë tepsinë për vete, por për ta çuar tepsinë për krap”, tha ai ndër të tjerë.
Kryeministri shtoi se nuk duhet të ketë vend në administratën shtetërore për njerëzit e korruptuar, pavarësisht nëse janë edhe të Partisë Socialiste.
Pa “tepsinë” në duart e PS-së, thotë Rama, nuk do të ishte realizuar reforma në drejtësi dhe as procesi i vettingut, e për rrjedhojë vendi nuk do të kishte as rekomandimin për hapjen e bisedimeve me BE.
“Nuk do të ishte bërë vettingu dhe nuk do ishin tundur të gjitha kollonat që mbanin në këmbë pallatin e korruptuar të drejtësisë nëse Partia Socialiste nuk do të ishte sot e vetme në pushtet”, u shpreh Rama.
Llogari para drejtësisë së re duhet të japin edhe politikanët.
“Nga më i gjati deri tek më i shkurtri, do të duhet që të mos mjaftohet më që unë jam i ndershëm dhe ai është hajdut, por të provohet si i tillë në varësi se kush paraqitet dhe kush jo, kur gjykatat dhe prokuroria të jenë pastruar nga i gjithë llumi i një çerekshekull”, u shpreh ai.
Top Channel