Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në një bashkëbisedim me qytetarët në Kavajë, tha se reforma e kurrikulave dhe teksteve në arsimin parauniversitar mbyllet vitin tjetër. Ajo theksoi se mësuesit nuk do të lejohen me celularë në orën e mësimit.
“Në këto 4 vite besoj që së bashku me ju ne ja dolëm të ndryshonim qasjen në sistemin tonë të arsimit parauniversitar duke implementuar një kurrikul të re të përshtatur edhe me atë që ishte reforma jonë e teksteve shkollore. Vitin tjetër përmbyllim gjithë reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar. Kemi filluar me një proces të ri rekrutimi përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Testimi në kompjuter dhe në kohë reale, çdo mësues që testohet merr përgjigje, kështu do të bëjmë edhe procesin e rekrutimit. Pra ndryshojmë faktin që mësuesit duhet të takojnë drejtorin e zyrës arsimore. Ndërsa Shkolla e Drejtorëve do të mundësojë kualifikimin për çdo drejtues shkolle që janë aktualisht. Që me vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të jetë syri monitoruesi i standardeve dhe problematikave, i ngritjes së alarmit, jo kur të ketë mbaruar viti shkollor dhe kur të shohim përmes mediave ndonjë mësues që dhunon apo ndonjë mësues që abuzon me detyrën por do të kemi gjithë informacionin në kohë reale për të ndërhyrë në kohë reale për të gjitha këto problematika. 3 lëndë në 6 orë ishte një nga nismat dhe betejat që u fitua që në javën e parë. Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë, ne do ecim edhe më shumë tek nxënësit por ky është parakushti i parë”, deklaroi Nikolla.
Studentët që kanë përfunduar studimet për mësuesi mbesin në numër të lartë në provimin e shtetit. Ky fakt sipas ministres së Arsimit meriton të adresohet dhe kjo situatë duhet përmirësuar, ndaj reforma e mësuesisë që sapo ka nisur do të sjellë ndryshimin që gjatë këtij viti në sistemin tonë shkollor.
“Unë nuk mund të mbyll sytë dhe të bëj sikur nuk shoh kur në provimin e shtetit ngelin edhe 60% e të diplomuarve në fakultetet tona. Mendoni janë studentë që kanë shpenzuar 5 vite nga jeta e tyre për të mbaruar “Bachelor” dhe “Master” në mësuesi, kanë bërë një vit praktikën profesionale dhe vijnë dhe ngelin në provimin e shtetit. Reforma jonë e mësuesisë besoj do të fillojë dhe t’i japë frytet e veta. Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të lejojë më që në shkolla të shkojnë mësues pa arsimin përkatës, mësues të dobët, mësues që i zgjedh politika dhe ministrja dhe jo merita e tyre dhe nga ana tjetër ne nuk do çojmë drejt universiteteve maturantët më të dobët. Ne kemi rritur notën mesatare sivjet 7 për ata maturantë që do të zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër do të mbulojmë bursat e gjithë maturantëve që zgjedhin mësuesinë me notë mesatare mbi 9”-theksoi Nikolla
Shtimi i mësuesve ndihmës në shkolla dhe shtrirja e projektit bëjmë detyrat e shtëpisë edhe në shkollat e Kavajës ishin ndër kërkesat kryesore të prindërve të nxënësve të këtij qyteti.
Top Channel