Një ndotje e konsiderueshme ujore u konstatua mëngjesin e së martës në portin detar të Durrësit.
Drejtuesit e Organizatës së Menaxhim Peshkimit ngrenë alarmin mbi këtë situatë të përsëritur brenda basenit ujor të portit të ri të peshkimit, i cili ka mbetur jashtë vëmendjes së çdo autoriteti pasi ende nuk është dorëzuar si objekt.
“Të hedhësh fuçitë e vajit dhe plehrat në mes të portit është një papërgjegjshmëri e madhe. Sot verifikova një sipërfaqe jo të vogël ndotje. Turp të derdhësh vajin në bankina. Sot e merr era këtë sasi vaji e nxjerr jashte portit. Turp për këtë situatë në prag të sezonit turistik. Turp dhe për ne!”, thotë Qemal Harizi, kryetar i OMP.
Ndotja është shkaktuar nga një prej anijeve të flotës së peshkimit që është zhvendosur pjesërisht këtu që nga nëntori i vitit të kaluar
“Kjo është një kosto e madhe ekologjike. Hidrokarburet kanë një dëm të madh mbi faunën e florën detare. Nuk është e lehtë të gjendet ndotësi, pasi ka pas 60-70 mjete e një pjesë kanë dalë për gjueti. Papërgjegjshmërisë së pronarëve dhe ekuipazheve të anijeve që hedhin mbetjet në det i shtohet dhe burokracia e ministrisë së Bujqësisë që nuk po bën dorëzimin e portit dhe pse janë bërë të gjitha aktet, edhe plani i menaxhimit . Ky është porti i të gjithëve dhe i askujt”, deklaron Besim Troplini, Nënkryetar OMP.
Të qenit pa administrator e ka lënë portin e ri të peshkimit jashtë mbikqyrjes së strukturave mjedisore.
“Mosshfrytëzim të këtij objekti me rëndësi të veçantë. Shfrytëzohet në mënyrë spontane jo të organizuar. Një shfrytëzim pa efektivitet. Që nga 20 nëntori 2017 kur jemi futur këtu e sot, kemi dëgjuar vetëm premtime nga ministria për dorëzimin e objektit. Kjo po e dëmton si port dhe nuk po e vejmë dot në eficencë portin”, shton Harizi.
“Ka 3 muaj që kryeministri thotë porti urgjentisht t’i kalojë peshkimit, po dallkaukët e ministrisë së bujqësisë nuk e kalojnë. I Zoti e jep, tellalli s’e jep”, deklaron Toplini.
Porti i ri i peshkimit, një investim që shkaktoi jo pak debate mes Bashkisë së Durrësit dhe Qeverisë së djathtë në vitin 2012, vazhdon të jetë në kërkim të zgjidhjes dhe mirëmenaxhimit.
Top Channel