Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, në tryezën “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”, tha se administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën, përsa i përket shqiptarëve të burgosur jashtë vendit.
“Qasja ndaj informacionit është një e drejtë themelore dhe shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt mendoj se do të duhej të konsideronim mënyrat për të thjeshtëzuar rrugët e ofrimit të informacioneve bazë, dhe organizimit të një komunikimi të rregullt me këtë kategori sociale edhe në diasporë. Administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën. Një pjesë e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit. Një komb i cili jeton i shpërndarë në një hapësirë të pakufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të “rishpikë” vetveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë që pse duhet ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigja është e thjeshtë. Në se nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit”, është shprehur Majko në fjalën e tij.
Ai bëri të ditur se falë një bashkëpunimi të filluar edhe me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, me Ministren e Drejtësisë dhe eksperiencën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ka nisur një punë paraprake. Krijimi i “liason officer”-ipër këtë qëllim është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do të shërbejë si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit. Vendosja e tyre fillimisht në Itali dhe Greqi do të jetë një model fillestar për të verifikuar funksionimin e tyre.
“Aktualisht e gjithë ngarkesa aktuale e kësaj cështjeje e zhvendos të gjithë barrën e saj tek ambasadat tona jashtë vendit. Kam pasur në një rast të një perceptimi të gabuar për profesionalizmin e drejtueses së një konsullate shqiptare në një vend fqinj. Mu desh ta rishikoja opinionin tim për të, që në momentin që ajo më tregoi se në cantën e saj të punës kishte lista të sakta të të burgosurve shqiptarë të cilat i rifreskonte rregullisht. Jashtë perceptimit tim për të, kjo grua shkonte rregullisht e vizitonte burgjet që mbulonte sektori i saj i përgjegjësisë. Ajo bëntë cfarë kishte mundësi duke ofruar ndihmë e sidomos seriozitetin e pranisë së shtetit shqiptar në trajtimin e shtetasve tanë jashtë vendit. Duhet pranuar, se në psiqikën tonë administrative për diplomatët e aftëështë fiksuar formati i diplomatit të “luftë së ftohtë”. Si mund të jetë një diplomat “i aftë” për forcimin e marrëdhënieve në një shtet kur është i “pamundur” të vendosë marrëdhënie me komunitetin e shqiptarëve që jeton aty? Shumica e shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit por edhe familjarët e tyre vuajnë mungesën e informacionit. Mendoj se është me rëndësi, krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesëve ligjorë shqiptarë në vendet pritëse, e cila do të ishte padyshim në dispozicion të ambasadave. Kur flasim për personat e privuar nga liria, duhet marrë parasysh se në radhët e tyre ka edhe njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e vendit ku vuajnë dënimin. Ata gëzojnë të drejta të cilat duhet ti njohin”, tha Majko.
Ministri i Diasporës tha më tej se numri i shqiptarëve të burgosur dhe paraburgosur jashtë vendit është më i lartë se në Shqipëri.
“Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017… Ekzistojnë shumë instrumenta juridike ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato. Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen”, tha ministri i Diasporës.
Top Channel