Mediet, nën sulm në Afganistan. 10 gazetarë të vrarë, mes të cilëve nga BBC, AFP dhe REL

30/04/2018 17:48
Gazetari i BBC, Ahmad Shah, 29 vjeç.

Plot 10 gazetarë u vranë në Afganistan, në disa sulme të koordinuara kamikaze në Kabul, por edhe një atentat në lindje të vendit, në ditën më të përgjakshme për punonjësit e medieve në vend që prej rrëzimit të talebanëve nga pushteti.

Nëntë gazetarë u vranë në Kabul, kur u mblodhën në vendngjarjen e sulmit të parë kamikaz për të raportuar ngjarjen, por u bënë objektivë të kamikazit të dytë. Rreth 30 persona të tjerë humbën jetën në këto dy sulme, ndërsa me dhjetëra kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, thuajse njëkohësisht, një gazetar i BBC-së u ekzekutua në një incident tjetër në provincën Khost, në afërsi të kufirit me Pakistanin, i identifikuar si Ahmad Shah.

Në masakrën e Kabulit, një kamikaz hodhi vetën në erë pranë selisë së NATO-s dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në qytet. Kamikazi i dytë priti qetësisht grumbullimin e medieve dhe ekipeve të emergjencës në vendngjarje, e me një kamera në dorë, duke u hequr si gazetar, hodhi veten në erë mes tyre.

Mes viktimave janë një fotoreporter i “AFP”-së dhe 3 gazetarë të “Radios Europa e Lirë”. Gazetarët e tjerë ishin punonjës të medieve lokale. Sulmet u dënuan ashpër nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet afgane, me këto të fundit në dukje të pafuqishme për të ndalur dhunën në vend, që po vjen duke u rritur në pritje të zgjedhjeve të tetorit.

Sulmi i përgjakshëm u mor përsipër nga Shteti Islamik. Që prej vitit 2016, të paktën 34 gazetarë dhe punonjës të medieve janë vrarë në Afganistan, qoftë nga Shteti Islamik ashtu dhe nga talebanët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA