Nga ALESSANDRO FRANCHETTI, Sport Mediaset – Të flasësh për Andres Iniestën, vështirë ta bësh në kohën e shkuar. E thënë thjesht, nuk ta nxë goja të thuash për të “ish-futbollisti”.

Sigurisht nuk është gjithnjë e mjaftueshme të thuash “lamtumirë”, për të pritur të tjerët të përgatiten për të “mbajtur zi”.

Nëse do të ishim seriozë, do të duhej të zbrisnim në rrugë me pankarta në duar, ku të shkruhej: “Futbolli qan Andres Iniestën”, ose thjesht “Futbolli qan”. Me këtë mënyrën e dytë, në mënyrë anonime, do të ishte një lloj deklarimi për një humbje kaq të madhe, saqë nuk mund as t’i vesh një emër.

Iniesta ka qenë dhe është një futbollist i jashtëzakonshëm, unik, pikërisht nga ata që mund t’i shohim një herë në 30 vite, apo edhe më rrallë. Është si ai fëmija i dashur i një brezi fatlum, “vëlla” i dy kampionëve të tjerë të pakrahasueshëm si Xavi e Pirlo, njerëz që 40-vjeçarët e sotëm, të cilët kanë arritur të shohin edhe lojtarë si Falcao, Matthaeus, Rijkaard dhe Zidane, nuk ndalen dot së kujtuari e vajtuari.

Ai ka luajtur me Barcelonën më të mirë të të gjitha kohërave, e sigurisht edhe te Spanja më e mirë e historisë, e jo rastësisht vetëm pse ai vet ishte shpirti dhe truri i skuadrës dhe Kombëtares së tij.

E për të kuptuar se çfarë do të mund të ishte, apo do të mund të bëhej, (pak rëndësi ka gjithsesi) një Messi si ai që njohim sot pa gjenialitetin e një lojtari si Iniesta, mjafton të shohësh rezultatet që ka marrë Argjentina e të parit dhe Spanja e të dytit. Sigurisht, Messi konsiderohet si simbol i “instinktit të pastër, ndërsa Iniesta, simbol i “logjikës perfekte” dhe energjive të pashtershme.

I zgjuar, teknik, i shpejtë, i aftë të luajë në çdo cep të fushës, të mbrojë e të sulmojë në zona të caktuar, të finalizojë e të shënojë, të vendoset në fushë e të mos lejojë kundërshtarët t’i ikin.

Thënë ndryshe, është Di Stefano i epokës sonë, një futbollist i kompletuar. Nëse ai që praktikon ai do të ishte një sport individual, shumë thjesht do ta krahasonim me Usain Bolt, Valentino Rossin apo Michael Schumacher. Për fat të keq, ai është “zhytur në detin” e një loje kolektive dhe ka kontribuuar për t’i dhënë harmoni “stuhive”, mbi të gjitha me përulësi dhe aspak banalitet.

“Don Andres”, siç e quajnë të gjithë me nderimet që i takojnë, edhe sot do të ishte titullar në thuajse të gjitha skuadrat e botës. Por zgjodhi të thotë mjaft. Nuk mori shumë kohë, nuk priti që koha ta mënjanonte, nuk zgjodhi të tërhiqej siç bënë shumë kampionë të tjerë përpara tij në të kaluarën.

Edhe në këtë fund, maturia dhe koha e zgjedhur për të deklaruar largimin ka qenë shembullore. Nuk i intereson nëse të nesërmen do të shkojë të luajë në Kinë apo Shtetet e Bashkuara, sepse Iniesta, sido që të vejë puna, është dhe do të jetë një kampion i të gjithë botës, i të gjithë planetit.

Ngado që ai të shkojë, kushdo do t’i uronte vetëm fat. Edhe nëse nuk do të mund të zbrisnin në rrugë me sloganet e vajtime, e sigurtë është se nën syzet me xhama të errëta, lotët sërish do të shihen.

FOTO GALERI
9/27

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA