Hapur nuk e pranon askush, por deklarata e lëshuar nga familja e DJ-it me famë botërore, Tim Bergling, i njohur si Avicii, u ka dhënë edhe më shumë forcë zërave që pretendojnë se 28-vjeçari ka vrarë veten.

“Timi ynë i dashur ishte një njeri shumë kërkues, një shpirt artistik i brishtë që donte përgjigje për pyetjet ekzistenciale”, thuhet në deklaratë.

“Një perfeksionist që udhëtoi e punoi shumë, me një ritëm i cili e çoi drejt një stresi ekstrem. Kur ndaloi turnetë, donte të gjente një ekuilibër në jetë për të qenë i lumtur dhe për të bërë atë që donte më shumë – muzikë”, vazhdon mesazhi i të afërmve.

Thelbi i deklaratës ishte se i riu tejet i talentuar nuk “po vazhdonte dot më gjatë”. Të afërmit e muzikantit suedez nuk i kursyen më herët lëvdatat ndaj adhuruesve dhe kolegëve të tij për mbështetjen e dhënë.

Me mijëra fansa u mblodhën në Stockholm për ta kujtuar, ndërsa hitet e veta më të mëdha “Wake Me Up”, “Levels” dhe “Hey Brother” pritet të hyjnë gjatë ditës në listën e këngëve më të dëgjuara të momentit.

Avicii u gjet pa jetë në një dhomë hoteli në Oman, javën e kaluar, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes së tij nuk është bërë publik ende.

Top Channel