Vdekja e parakohshme e DJ të famshëm, Avicii tronditi jo vetëm fansat e tij të shumtë në mbarë botën, por gjithë komunitetin e muzikës.

28-vjeçari suedez, Tim Berlgling ndërroi jetë më 20 prill në Oman dhe një javë nga lajmi tragjik, familja e tij ka dalë me një deklaratë ku konfirmon shkakun e vdekjes.

“Timi ynë i dashur ishte kureshtar, një artist me shpirt të brishtë në kërkim të përgjigjeve për pyetjet ekzistenciale. Luftoi fort për të gjetur kuptimin e jetës, lumturisë, por fatkeqësisht nuk shkoi dot më shumë”, nis letra e familjes së DJ.

Më tej, familje kujton se Avicii ndaloi turet në vitin 2016 për shkak të gjendjes shëndetësore, si pasojë e abuzimit me alkoolin.

“Kërkoi të gjente një ekuilibër në jetë mes lumturisë dhe të bënte atë që dashuronte më shumë; muzikën. Tim nuk ishte i gatuar për këtë biznes të zhurmshëm, ku u përfshirë shumë shpejt. Ishte një djalë i ndjeshëm që i dashuronte fansat e tij, por tmerrohej nga të qënurit gjithë kohës në qendër të vëmendjes”, vijon reagimi i familjes.

“Kërkoi paqen dhe e gjeti! Tim, ti do të jesh gjithmonë i dashur dhe do të na mungosh tmerrësisht shumë, por do të mbahesh mend për çfarë personi ishe dhe muzika do të të mbajë gjithmonë të gjallë”, përfundon letra e familjarëve të DJ suedez.

Top Channel