Kryeministri Edi Rama as pohoi, por as mohoi se në takimin me Angela Merkel është diskutuar edhe për çështjen “Tahiri”.
Pyetjes së Top Channel për këtë, ai iu përgjigj: “Kemi folur në detaje për të gjitha aspektet e raportit të progresit, për ecurinë në 5 prioritete, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe patjetër për progresin e bërë me vettingun, që ka një vëmendje të veçantë nga të gjithë, edhe nga kancelarja”.
Por, nëse në takimin me Kancelaren nuk dihet ende nëse është diskutuar apo jo për dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, e sigurtë është që për këtë u fol në Bundestagun gjerman. Këtë e konfirmoi vetë Kryeministri.
“Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve Europiane për këtë çështje dhe pozicionin tonë në këtë proces”, thotë ai.
Burimin e kësaj pyetjeje të ngritur nga deputetët gjermanë, Kryeministri Edi Rama e gjen në Tiranë, tek opozita shqiptare.
“Pyetja ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit, edhe me baltën e eksportuar atje dhe tregimin e deformuar që është bërë atje”, shtoi ai.
Top Channel