Qira, shitje dhe borxhe fiktive për të fshehur pasurinë, ish-kryekomunari paditet nga Prokuroria

25/04/2018 10:43

Prokuroria e Elbasanit ka dorëzuar në gjykatë dosjen ndaj një ish-drejtuesi lokal, të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë të saj duke deklaruar qira, shitje dhe borxhe fiktive tek shtetas të tjerë.

Albert Kreci, që mban detyrën e mjekut ligjor në Durrës akuzohet nga Prokuroria për deklarim të rremë të pasurisë përgjatë kohës që ishte në krye të Komunës së Pajovës në rrethin e Peqinit.

Gjithashtu, së bashku me të, Prokuroria ka marrë të pandehur edhe Shpëtim Plakun për dëshmi të rreme.

Sipas Prokurorisë, Kreci ka bërë deklarim të rremë për kontrata qiraje, kontrata shitjeje dhe ka fshehur aktivitetin e një televizioni kabllor, të quajtur “TV-ALB Pajovë”, që e ka vendosur në emër të Shpëtim Plakut.

Prokuroria akuzon ish-kreun e Komunës së Pajovës edhe për kontrata fiktive qiraje dhe shitjeje toke arë, të cilat mohohen nga pala tjetër që Kreci pretendon në deklarimet e tij se kanë marrë me qira ambientet apo i kanë blerë tokën arë.

Në 2010, thotë Prokuroria, Kreci deklaron se ka marrë borxh te Nezir Salla shumën prej 60 mijë eurosh për ndërtim shtese kati. Në 2013, deklaron se i ka shlyer Nezir Sallës shumën prej 14 mijë eurosh dhe në 2014, deklaron se i detyrohet Nezir Sallës 6 mijë euro. Vetë shtetasi Nezir Salla mohon në tërësi ekzistencën e këtij borxhi apo huaje.

Prokuroria thotë se Albert Kreci ka bërë deklarime të rreme edhe në lidhje me disa kredi të marrë në dy banka.

Albert Kreci ka drejtuar ish-Komunën e Pajovës nga viti 2007 deri në 2015, vit ku si pasojë e reformës administrativo-territoriale, kjo Komunë iu bashkua Bashkisë së Peqinit. Në zgjedhjet e 2015, Kreci ishte kandidat i Partisë Demokratike për këtë bashki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA