Anglia i ka sytë sot nga Kate Middleton. Dukesha e Kembrixhit është shtruar në spital dhe pritet të sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë.
Kate ka preferuar t’i drejtohet të njëjtit institucion ku lindi Princin George dhe Princeshën Charlotte, klinikën Lindo Wing, pjesë e “St Mary’s Hospital”. Foshnja e saj, djalë apo vajzë, do të jetë e pesta në linjën e fronit.
Për lindjet e mëhershme, 36-vjeçarja ka pasur në dispozicion një ekip prej 23 punonjësish të mjekësisë, ndër të cilët dhe një obstetër e një gjinekolog të konsideruar si ndër më të mirët në vend. Në të dy rastet, lindjet kanë qenë natyrale dhe pa komplikacione, ndaj shpresat janë që e treta të vazhdojë të mbetet në të njëjtën linjë.
Edhe pse sot të gjithë e kanë mundësinë ta njohin paraprakisht gjininë e fëmijës, çifti mbretëror në Angli nuk e ka këtë fat sepse tradita e dikton që ata të mos e dinë deri në momentin që fëmija të lindë. Interesimi për foshnjën është kaq i madh sa bastëvënësit i kanë hyrë punës duke tentuar të parashikojnë emrin, datën e lindjes, peshën e deri edhe ngjyrën e flokëve të bebes.
Emrat e listuar prej tyre përfshijnë Alice, Alexandra, Elizabeth, Mary dhe Victoria nëse është vajzë; Arthur, Albert, Frederick, James dhe Philip, nëse Kate do të lindë një djalë.
Lindja do t’i njoftohet shtypit përmes email-it dhe një mesazhi kremtues që do të postohet në faqen e Kensington Palace, në Twitter.
Top Channel