Udhëheqja politike greke, në reagimet e saj pas një interviste të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në momentin kur tensionet midis dy fqinjëve kanë arritur kulmin, ka deklaruar se mirëpret pjesën pozitive të saj, ndërsa pret ndryshime praktike në sjelljen e Turqisë.
“Greqia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të besimit dhe dialogut me Turqinë dhe është përkrahësja më e nxehtë për anëtarësimin e saj në BE, por kohët e fundit, Ankaraja duket se po largohet nga synimi i saj europian”, ka deklaruar kryeministri Tsipras.
“Pozicionimi i Athinës dhe i BE-së në të njëjtën kohë është i qartë në lidhje me kthimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë, pa asnjë konpensim dhe kushte të tjera të papranueshme”, ka thënë ai.
“Deklaratat e tij janë të mirëpritura, por duhet të shoqërohen edhe nga hapa të mëtejshme, duhet të pasqyrohen edhe në veprime. Duhet të shoqërohen me akte të respektimit të së Drejtës Ndërkombëtare”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Edhe presidenti grek, Pavlopoulos ka dhënë një përgjigje ndaj deklaratave të Erdoganit, i cili ka folur për paqen dhe dialogun mes dy vendeve, ndërkohë që ka risjellë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë çështjen e zonave gri, që përfshijnë disa ishuj në Egje, dhe ka lënë të nënkupohet që për të dorëzuar dy ushtarakët grekë të arrestuar, Athina duhet të deportojë puçistët turq të arratisur pas grushtit të dështuar të shtetit.
“Dëshiroj të theksoj se, për ne grekët janë të mirëpritura deklaratat e djeshme të presidentit turk, Tayyip Erdogan, për bashkëjetesën paqësore të popujve tanë. Vetëm se deklarata të tilla janë të rëndësishme dhe të vlefshme kur shoqërohen nga vepra. E kjo nuk duket! Nëse shikon dikush atë që u theksua nga ana e tij për dy ushtarakët grekë, që mbahen arbitrarisht për një kohë të gjatë, në kundërshtim me çdo koncept të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Turqisë.
Edhe Pavlopoulos e ka konsideruar të papranueshme shkëmbimin e ushtarakëve grekë me ata turq, pasi këta të fundit – sqaron ai, – kanë kërkuar azil politik në Greqi sipas së drejtës ndërkombëtare, qëndrim me të cilin janë pajtuar edhe të gjithë udhëheqësit e partive opozitare greke.
Top Channel