Inter e Lazio bëjnë detyrën, Crotone ‘zhyt’ Udinesen, Atalanta kalon Milanin

22/04/2018 17:03

Lazio nuk ka ndërmend të ulë ritmin deri sa të sigurojë një vend në zonën Champions. bardhekaltrit shkatërruan Sampdorian me rezultatin 4-0, në ‘Olimpico’, duke shënuar nga dy gola për pjesë.

Milinkoviç-Saviç hapi serinë e golave, ndërsa më pas shënuan De Vrij dhe Immobile dy herë, duke çuar Lazion në kuotën e 67 pikëve, në vendin e 4-t të renditjes.

Edhe Interi mori një fitore në transfertën e vështirë të ‘Bentegodit’, ndaj Chievos, ku triumfoi 1-2. Sfida u zhbllokua nga një gol i Icardit, që fillimisht u anulua nga arbitri i takimit, por më pas VAR konfirmoi se pozicioni ishte i rregullt. Më pas, ishte kroati Perisiç që dyfishoi shifrat pas një aksioni model ku morën pjesë edhe Rafinha e Karamoh, ndërsa Chievo rihapi takimin në minutën e 90, pas golit të Stepinksyt.

Nuk ka paqe për Udinesen që sot pësoi humbjen e 11 radhazi dhe për më tepër në një sfidë direkt për mbijetesën, ndaj Crotones.

Në ‘Friuli’ skuadra e Oddos kaloi në avantazh me anë të Lassagnës,që në minutën e 6′, por Simy u kundërpërgjigj vetëm nëj minutë më pas për miqtë. Golin e fitores për Crotonen e shënoi Faraoni pak minuta nga fundi, ndërsa në minutën e 90 u aktivizua edhe Arlind Ajeti.

Edhe Atalanta fitoi sfidën direkt për një vend në Europa League, duke mposhtur Torinon me rezultatin 2-1. Gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, ku Freuler dhe Gosens shënuan për vendasit, ndërsa Ljajiç barazoi përkohësisht për Torinon. Me këtë fitore, skuadra e portierit Etrit Berisha parakalon Milanin dhe futet në zonën që të çon në Europa League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA