Superiorja në tri ditë, Vllaznia në kërkim të pikëve të mbijetesës

21/04/2018 11:22

Ndeshjet e javës së 30 të Kategorisë Superiore janë të ndara në 3 ditë. Sot në orën 16:00 do të luhen dy ndeshjet e para, ajo mes Vllaznisë e Luftëtarit, si dhe mes Kamzës e Lushnjes.

Vëmendja më e madhe do të jetë e përqëndruar pikërisht në “Loro Boriçi” të Shkodrës, pasi përballë janë dy skuadra që kanë objektiva madhorë për të arritur.

Vllaznia që do të kërkojë të shfrytëzojë faktin që luan në fushën e saj për të marrë 3 pikët, në mënyrë që të evitojë sa më shpejt të jetë e mundur rënien nga kategoria.

Por, përballë do të ketë një skuadër si Luftëtari, që ka pretendime të forta për të hyrë në zonën e kupave të Europës.

Ndeshja tjetër e ditës së sotme është ajo mes Kamzës dhe Lushnjes, që do të luhet gjithashtu në orën 16:00. Skuadra e Kamzës, që tani e sheh veten në pozita jo komode, pasi i është bashkuar luftës për mbijetesë, është favorite për të fituar këtë përballje me lushnjarët, 3 pikë që do të prishnin serinë negative të ndeshjeve të fundit.

Të dielën do të luhet ndeshja mes Laçit dhe Kukësit, një përsëritje kjo e sfidës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me skuadrën verilindore që do të kërkojë të marrë hakun ndaj kurbinasve për eliminimin. Po të dielën do të luhet edhe Flamurtari-Teuta, ndërkohë që kuadri i javës së 30 do të mbyllet me ndeshjen Partizani-Skënderbeu, që do të luhet të hënën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA