Nëpërmjet një deklarate të saj, Ministria e Jashtme greke përshëndeti progres raportin e prezantuar të martën në Strasburg, ku rekomandohej hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe jashtë kornizave diplomatike, Athina është shprehur se ka qenë e para që ka dhënë aprovimin e saj për dhënien e statusit dhe hapjen e proceseve integruese për Ballkanin Perëndimor, një proces ky i gjatë dhe i vështirë, që sipas ekzekutivit grek ka nisur që në presidencën greke të BE-së në vitin 2003, e ka vijuar më pas falë mbështetjes së tij të fuqishme.

Lidhur me Shqipërinë, Athina zyrtare i kërkon Tiranës të bëjë kujdes me implementimin e 5 kapitujve bazë, ku ndër më të rëndësishmit vlerësohen çështja e minoriteteve dhe mbrojtjes së tyre, reforma në drejtësi, çëshjta e pronave të minoriteteve, lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, si dhe lufta kundër korrupsionit.

Pa lënë mënjanë edhe procesin e asaj që quhet “qasje e re në marrëdhëniet dypalëshe” dhe dialogu mes Athinës dhe Tiranës, gjatë të cilit dy vendet kanë nisur tashmë dialogun e drejtpërdrejtë për zgjidhjen e problemeve dypalëshe. Athina i kujton Tiranës se marrëveshjet duhen zbatuar, duke shtuar presionin ndaj saj për të përfunduar marrëveshjet, ku padyshim ajo e detit mbetet prioriteti absolut i Greqisë në çështjet mes dy vendeve.

Për sa i përket Maqedonisë, Athina shprehet e vendosur për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes dy vendeve, ndërsa për Kosovën, Athina thekson se mbetet e vendosur në inkurajimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Top Channel