Deputeti demokrat Xhemal Gjunkshi pjesëmarrës në forumin Qytetar për Sigurinë në Dibër u shpreh se në këtë qark ka ende ndërtesa të mbushura me lëndë narkotike.
“Ky komunitet ka nevojë të ndjehet dora e policisë së shtetit jo vetëm përmes takimeve por edhe nëpërmjet investimeve konkrete. Ka ndërtesa të mbushura me lëndë narkotike. Përkrah iniciativën tuaj, për ta luftuar këtë. Kjo është një e shkuar që ka lënë shumë pasoja”, tha Gjunkshi.
Por nuk ka munguar as përgjigja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili tha se përsa i përket kultivimit të kanabisit, Dibra ka qenë ndër qarqet me shifrat më të ulëta.
“Qëllimi i takimit është që ne në policinë e shtetit të identifikojmë ca është bërë mirë dhe çfarë jo. Nuk mund të pretendojmë se drejtoria vendore Dibër është policia më e mirë në botë, po nuk mund ta mohoj që Dibra në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë ngjarje të rëndë, dhe kjo është meritë e komunitetit tuaj në radhë të parë. Dua të them me plot gojën që policia e Dibrës ka pasur shifrat më të ulëta të kanabisit në vitin 2017 dhe kjo është meritë e juaja dhe e policisë së Dibrës. Jemi sot këtu për të marrë besimin tuaj dhe për të na mbështetur në punën që kemi nisur”, tha Veliu.
Top Channel