Negociatat, Majlinda Bregu paralajmëron pështjellim dhe “fshikullon” PD

17/04/2018 16:57

Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit në qeverinë e Partisë Demokratike është një ndër emrat e përfolur në media si drejtuese e grupit negociator të palës shqiptare në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Megjithëse duhen pritur edhe disa muaj deri kur bisedimet të marrin dritën jeshile nga vendet anëtare, ish-deputetja demokrate ka përshëndetur rekomandimin e Komisionit Europian përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Çka u propozua sot në Strasburg, është çfarë duhej për Shqipërinë, Maqedoninë dhe konfirmim i perspektivës jetike të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Europë!”, shkruan ajo.

Bregu paralajmëron një pështjellim të madh deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

“Pas gjithë rrengjeve të hershme që historia ka përcjellë ndër shqiptarë, ca të liga e ca idiote; ca me armiq të jashtëm e ca me bashkëfajësi së brendshmi; -prej sot nis një fazë e re në të cilën koha, (sidomos deri në qershor),nuk mund të ikë pa i thënë gjë askujt. Do të ketë një “pështjellim” më të madh këto muaj deri në marrjen e vendimit përfundimtar për çeljen e negociatave”, vijon ish-ministrja e Integrimit.

Pasi uron çdo shqiptar proeuropian për këtë lajm, Majlinda Bregu fshikullon edhe elementë të opozitës.

“Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike, apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuarpro çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë, apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë proeuropian! Kushedi çdo të sjellin erërat për fatin e tyre të gremisur!”, mbyll reagimin e saj ish-ministrja e Integrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA