Gjatë prezantimit të progresraportit vjetor për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku u rekomandua nisja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Kosova u përmend shumë pak.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u ndal te zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe dialogu që po zhvillohet me Serbinë, duke mos dhënë detaje të tjera sa i përket përparimit të Kosovës në rrugën drejt liberalizimit të vizave.
Kryediplomatja e BE-së e cilësoi një lajm të mirë nisjen e punës për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe inkurajoi palët që të vazhdojnë punën, pasi ka ende çështje të tjera që duhen implementuar.
Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve është e mundur, pasi të dyja palët kanë shprehur vullnet.
Zyrtarët e lartë të BE-së thanë se Serbia dhe Mali i Zi kanë shënuar disa përparime dhe po vazhdojnë negociatat për anëtarësimin në BE, ndërsa Bosnje-Hercegovina, ashtu si Kosova është ende në rrugën e përmbushjes së kritereve.
Vlerësimet më negative, Komisioni i bën për Turqinë, që siç u tha, ka shënuar hapa të mëdhenj prapa.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”-n pas publikimit të raportit, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn tha se shumë nga tensionet e Ballkanit Perëndimor mund të kapërcehen po të bëhen bashkë të gjitha vendet e rajonit.
Ai përmendi si shembull pozitiv Shqipërinë, ku – siç tha, – u miratua një reformë e gjerë në drejtësi, tashmë në fazën e zbatimit. Vitin 2025, Hahn e cilësoi një objektiv të realizueshëm, por shumë ambicioz.
Top Channel