Opera udhëton në Vlorë, shfaqjet për turistët gjatë sezonit veror

13/04/2018 14:18

Trupa e TKOB do të udhëtojë këtë verë drejt Vlorës për të çuar pjesët më të mira të sezonit artistik e për të kënaqur jo vetëm pushuesit e qytetit jugor, por edhe për të rritur turizmin në këtë zonë.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe Drejtoresha e TKOB lancuan sëbashku kalendarin e turizmit kulturor.

“Sot bashkë jemi duke bërë një program, të cilin do ta prezantojmë shumë shpejt për sezonin e ardhshëm turistik. Është risi, është një gjetje. Dua të falenderoj zonjën Çela për energjinë që po i ofron eventeve të tilla në mënyrë që sezoni turistik të dalë nga monotonia e zakonshme e të rikthehet në festa, ku të gjithë njerëzit të mund të bëhen pjesë”, tha kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Është sezoni ai që ta dikton këtë gjë që ne tashmë të japim koncertet tona në “open air”, në mënyrë që jo vetëm banorët e Vlorës, por të gjithë turistët që do të vijnë në qytetin e Vlorës të shijojnë artin që Teatri i vetëm Kombëtar i Operës dhe Baletit të Shqipërisë prodhon”, thotë Zana Çela, drejtoresha e TKOB.

Që nga “Opera in Jeans” e deri tek ritmet popullore do të dëgjohen këtë verë në bregdetin e Vlorës, larmi ngjyrash në repertorin më të mirë shqiptar e të huaj.
“Në Vlorë ne do të sjellim gjithçka të mirë që ka patur kalendari artistik i TKOB këtë vit dhe vitin që kaloi. Do të sjellim formate të ndryshme artistike: opera, balet, koncerte të variantit “Opera në xhins”, Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore, pra gjithçka të mirë dhe të bukur të formatuar për audiencë të ndryshme”, thotë Çela.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA