Për të dytin vit radhazi Akademia e Shkencave ka ndarë çmimet shkencore vjetore. Me çmimin më të rëndësishëm “Çabej”, akademikët kanë vlerësuar “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe” të autorit Kolec Topalli. Në mungesë të autorit, çmimin e tërhoqi vajza e tij.
“Etimologjia ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes sime dhe në çdo monografi të botuar mbi historinë e gjuhës ka pasur një kapitull të veçantë për këtë fushë. Vetëm hartimi i fjalorit dhe hedhja e çdo fjale në kompjuter, ka qenë një proces i gjatë që me ka marrë 6 vite të punës sime shkencore”, shprehet vajza e Kolec Topallit.
Me çmimin “Radovicka” u vlerësua punimi i përbashkët i autorëve Nazim Gruda dhe Andrea Shundi për botimin “Hortikultura”.
“Akademiku Gruda, bashkëpunëtor i këtij libri, shkruan nga Gjermania: Punën tonë për këtë libër e krahasova me një maratonë 4 -vjecare. Komisioni i Akademisë këtë vlerësim intelektual të një botimi madhor e shpalli me vlerësimin më të lartë”, tha Shundi.
Ndërsa çmimi për studiuesin më të mirë të vitit shkoi për Aleksander Novik dhe librin e tij “Ekspedita në detin Azov-gjuha dhe kultura e shqiptareve të Ukrainës”
“Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kane ikur nga trojet shqiptare 5 shekuj më parë, por shqiptarët e sotëm të Ukrainës janë kthyer këtu në trojet shqiptare nëpërmjet monografisë sonë kolektive”. tha Novik.
Një çmim iu dha gjithashtu edhe autorit Ismail Kadare, çmim i cili do t’i dorëzohet autorit përmes një ceremonie të veçantë.
Top Channel