Teknikën ‘Working with cups’ ajo e ka studiuar në Kanada, ku ka jetuar për shumë vite, ku edhe ka kryer studimet e larta për Interior Design.
Por Anila Hetoja ndjehet më shumë një piktore se sa një dizenjuese, kjo edhe për faktin pasi numëron 3 dekada marrëdhënieje të ngushtë me telajon.
Prej 5 vitesh ajo lëvron një teknikë të re, të panjohur në Shqipëri, në dukje shumë të thjeshtë, aq sa secilin prej nesh do të ftonte ta provonte një sfidë të tillë. Por edhe nëse do të përzienim me saktësi përqindjen e kërkuar të bojës, nuk do t’ia dilnim të kishim një kuadro të tillë në fund.
“Që kur nisem e kam konceptin tim se çfarë dua të dizenjoj. Përgatiten bojerat të përcaktuara se çfare ke ti në mendje dhe pastaj dalin këto ngjyrat “like dramatic”, ngjyrat e forta të thyera me ngjyra të çelëta, të qeshura që të krijosh atë çfarë ti ke në mendje. Jo çdokush mund ta bëjë. Vërtetë duket si një lojë fëmijësh, por nuk është e tillë. Do një teknikë, do një eksperiencë të madhe për të punuar dhe për të realizuar këto piktura. Unë punoj në telajo shumë të mëdha, duhet të jenë mbi 2 m, sepse edhe pritshmëria është më e madhe”, thotë Hetoja.
Por krahas modernizmit të shfaqur në këtë teknikë, Anila është edhe shumë tradicionale në pikturën e saj. Vetëm pak kohë më parë së bashku me piktoren Edlira Arapi, dy artistet shqiptare folën në shqip në Gjermani nëpërmjet telajove të tyre.
“Fillova që të dizenjoj veshjet tradicionale. Doja që të sillja para publikut, një mënyrë më të veçantë, le të themi 3 D. Ka punime me gurë, me rruaza, pra është krijuar një impakt më spektakolar. Ishte shumë interesante për artdashësit. Ishin shumë kureshtarë të dinin se nga vjen kjo kulturë”, rrëfen Anila.
Top Channel