Referimi i policisë për të hetuar më tej 60 persona, ku gjysma e tyre janë deputetë dhe ndaj të cilëve adresohen të paktën 3 vepra penale, shikohet me dyshim nga juristët.

Duke iu referuar historikut në vite të protestave dhe pushimit të hetimit në këto raste për politikanët, Sokol Hazizaj hedh tezën se legjislacioni duhet rishikuar.

“Do të thotë se sa kohë vetë politika bëhet promotore e zënies së rrugës, për shkaqe edhe objektive gjithashtu, unë mendoj që organi procedurial i hetimit, që është produkt i politikës të mund të ndërmarrë veprime arbitrare agresive për kufizimin e lirisë së tyre”, thotë Sokol Hazizaj,

Por, Saimir Vishaj mendon se nuk mund të vazhdohet më tej me praktikën e referimeve nga policia, sipas tij Prokuroria duhet të nisë hetime kryesisht.

“Në rastin konkret duhet të ishte prokuroria ajo që kryesisht mund të fillonte çështje penale pa një referim nga ana e policisë, ku sundimi i ligjit të prekë të gjitha sferat dhe jo të jemi para një shteti policor që në mënyrë selektive mund të referojë çështje pranë prokurorisë”, thotë Saimir Visha.

Por, çfarë tregojnë statitikat për protestat dhe tubimet? Viti 2017, edhe nga që ishte vit zgjedhor shënoi një rekord prej 1400 tubime në qytete të ndryshme duke nisur nga manifestimet e deri tek protestat masive. Të tilla janë protestat e naftëtarëve për pagat, protesta kundër betonizimit në Durrës, apo edhe protestat e opozitës në rrethe, apo edhe ne parlament më 18 dhjetor, ndërkohë që 2016 ka shënuar, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit 500 tubime dhe protesta.

Siç tregojnë raportet e fundit vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse janë referuar përherë bashkë me qytetarët protestues edhe emra politikanësh, si edhe në rastin e fundit, deri më tani nuk ka asnjë deputet të marrë të pandehur për protestat.

Prokuroria e kryeqytetit është prokuroria ku janë referuar më shumë emra deputetësh për protestat, sikurse edhe ajo e prillit 2017.

Akuza ka vendosur pushimin e hetimeve duke sjellë si argument një vendim të Gjykatës së Strasburgut, e cila thekson se e drejta për të protestuar prevalon mbi gjithçka.

Megjithatë, në raportet vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme evidentohen se që prej 2013 çdo vit janë dënuar për veprën e organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme nga 4 deri në 8 qytetarë të thjeshtë.

Prokuroria i përshkruan të hetuarit e këtyre protestave 1,7 për qind në punë shteti, 35.2 për qind punojnë në privat dhe 63 për qind të papunë.

Top Channel