Të revoltuar ndaj çështjes së Teatrit Kombëtar, statusit të artistit dhe ligjit të ri për Artin dhe Kulturën, anëtarët e Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptarë i kanë bërë sërish thirrje Ministrisë së Kulturës të reflektojë mbi disa çështje që shqetësojnë komunitetin e artistëve.
Dalja në pension në moshën 56 vjeç për femrat dhe 62 vjeç për meshkujt është e patolerueshme sipas tyre. Krahas statusit, artistët kërkojnë që Teatri Kombëtar të mos shembet, si edhe janë kundër kalimit të Cirkut Kombëtar në varësinë e Bashkisë së Tiranës.
“Ne kërkojmë që kjo godinë të rikonstruktohet me një projekt që të bëhet transparencë me artistët. Të bëhet statusi, për të cilin kanë premtuar ministra kulture dhe qeveri për ta bërë, të bëhet ligji i ri për Artin dhe Kulturën. Statusi i këtij institucioni është më i rëndësishëm sesa çadra. Kjo do të thotë që të mos jetë më kombëtar, por të kalojë nën varësinë e një drejtorie në Bashkinë e Tiranës. Ta kthesh në një drejtori do të thotë të tallesh me këtë pasuri”, tha Reshat Ibrahimi, kryetar i sindikatës.
Sindikata e Artistëve të Pavarur Shqiptarë i ka dërguar 3 kërkesa zyrtare për dialog Ministrisë së Kulturës. Nëse kërkesat e tyre për takim do të vijojnë të bien në vesh të shurdhër, artistët thotë se do të përshkallëzojnë lëvizjet e tyre deri në marrjen e masave ekstreme.
“Sipas statutit, sipas ligjit dhe kontratës kolektive që firmosëm me ministren, kemi të drejtë ligjore që të fillojmë lëvizjet e para. Kjo do të thotë: lemë 1 orë punën; lemë 2 orë punën; fillojmë protestat në rrugë dhe grevat e urisë; edhe e fundit fare do të flijohemi aty”, tha Reshat Ibrahimi.
Top Channel