Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur arrest me burg në mungese për Suel Çelën, si njërin nga protagonistët për ngjarjen e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.
Ndaj Suel Çelës adresohet vepra e vrasjes së oficerëve të policise të mbetur në tentativë, para tregut agro-ushqimor të këtij qyteti.
Por megjithë këtë vendim të Krimeve të Rënda për përplasjen që shkaktoi furtunë në radhët e uniformave blu, arrestimi i Suel Çelës deri më tani ka dështuar.
Masa e shpallur nga Krimet e Rënda evidenton qendrimin e prokurorisë që përshkruan se në fakt dyshohet se mjetin Audi që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela.
Burimet thonë se provat rrëzojnë alibinë e Enea Bekteshit, i cili më herët ka deklaruar se ai e goditi policinë, dhe se e kishte kryer këtë veprim pasi ishte trembur nga postblloku dhe të shtënat.
Në atë kohë Bekteshi e përshkroi veten, nën efektin e alkoolit. Për akuzën ky version është i pavërtetë. I dyshuari kryesor tashmë është Suel Çela sipas një vendimi gjyqësor që i kërkon policisë ta arrestojë.
Suel Çela është djali i Petrit Çelës, që është gjithashtu pronari i tregut agro-ushqimor dhe që është pyetur me herët nga autoritetet.
Por pas incidentit dhe pamjeve filmike të bëra publike megjithëse emri i Suel Çelës u përmend jo zyrtarisht, asnjë nga institucionet nuk e lakoi emrin e tij zyrtarisht. Pas ngjarjes ai qëndroi në kërkim policor për më shumë se një muaj.
Ndërkohë që me dosjen e Elbasanit luhej ping pong kompetencash herë në Tiranë e herë në Elbasan, policia e ka shoqëruar në muajin dhjetor Suel Çelën.
Por atij ndërkohë rezulton t’i kishin përfunduar afatet e kërkimit policor. Në këto kushte ai është lënë i lirë.
Pas kësaj në referim të provave, gjykata ka shpallur masën e sigurisë arrest me burg. Por kjo masë është vendosur një javë pasi Suel Çela, siç rezulton nga sistemi TIMS, kishte dalë nga Shqipëria, i lirë dhe i patrazuar nga drejtësia.
Top Channel