Studiuesit e inteligjencës artificiale nga thuajse 30 vende kanë bojkotuar një universitet koreano-jugor, pasi druhen se bashkëpunimi i një prej laboratorëve të tij të rinj me një prodhues armësh do të krijojë robotët vrasës.

Më shumë se 50 akademikë të njohur të fushës firmosën një letër, përmes së cilës bëjnë thirrje për bojkot të Instituti të përparuar korean të Shkencës dhe Teknologjisë, i njohur me siglën “KAIST”, dhe partnerit të tij, kompanisë “Hanwha Systems”.

Studiuesit thanë se nuk mund të bashkëpunojnë me universitetin apo të presin vizitorë nga “KAIST”, pasi druhen se ata duan që të përshpejtojnë garën e armëve për të zhvilluar sisteme autonome.

Shkencëtarët thonë se ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen me inteligjencën artificiale, por është e papranueshme që një universitet i respektuar të deklarojë hapur se ka qëllim të prodhojë armë autonome, në bashkëpunim me një prodhues armësh me etikë të dyshimtë dhe që shkel normat ndërkombëtare.

“Hanwha” është prodhuesi më i madh i armëve në Korenë e Jugut, e prodhon edhe armë që janë të ndaluara në shumë vende.

Bojkoti vjen përpara një takimi të OKB-së në Gjenevë për armët autonome, ku më shumë se 20 vende do të kërkojnë ndalimin total të robotëve vrasës.

Ekspertët thonë se ka dyshime serioze për saktësinë e këtyre armëve autonome dhe aftësinë që ato të dallojnë armiqtë nga miqtë, e mbi të gjitha nga civilët. Më kritikët madje thonë se, armë të tilla ngjallin frikë serioze për skenarë të ngjashmë me ato të filmit “Terminatori”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA