Rusia, Turqia e Irani, pse do dështojë dialogu për Sirinë?

03/04/2018 11:45

Presidentët e Rusisë, Turqisë dhe Iranit do të takohen të mërkurën në Ankara për të diskutuar një zgjidhje për konfliktin sirian, e megjithatë shanset që lufta t’i afrohet fundit duket se janë të pakta.

Tre liderët përfaqësojnë forcat më të mëdha të huaja që operojnë tani brenda Sirisë, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara që kanë lënë të kuptohet se së shpejti do të tërhiqen. Por Vladimir Putin, Rexhep Taip Erdogan dhe Hasan Rohani do të takohen pa praninë e një faktori tejet të rëndësishëm në konfliktin e pamëshirshëm; sirianët. Edhe pse supozohet se regjimi i Damaskut do të bëjë atë që do t’i thotë Teherani ose Moska, mundësia që Rusia, Turqia dhe Irani të dakordësohen mbi një “status quo” të ri brenda Sirisë nuk premton të jetë afatgjatë sipas analistëve.

Palët, të cilat kane shpenzuar shumë kohë të historisë së tyre në luftë për ndikimin në rajonin e Detit të Zi, kanë shumë dallime mbi konfliktin sirian.

Moska dhe Teherani i ofrojnë mbështetje ushtarake regjimit të Bashar Al Asad, por Turqia ka kërkuar vazhdimisht largimin e presidentit sirian. Fokusi i Ankarasë është të parandalojë forcat kurde të Ypg-së të kontrollojnë një zonë, e cila mund të shërbejë si baza e një rajoni autonom në Sirinë e pas luftës, nga kufiri me Irakun deri në Mesdhe.

Rusia nga ana tjetër kërkon ta largojë veten nga Siria pa u ndjerë në kurthin e kujtesës së luftës sovjetike në Afganistan. Prioriteti i Iranit është të bëhet shteti me ndikimin më të madh në politikën siriane. Por më e rëndësishmja është se marrëveshja tripalëshe nuk pritet të adresojë çështjet demografike dhe sektare që çuan në nisjen e luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA