Erdogan-Putin prezantojnë planet për reaktorin e parë bërthamor në Turqi

03/04/2018 19:43

Udhëheqësit e Rusisë dhe Turqisë njoftuan të martën nisjen e ndërtimit të impiantit të parë bërthamor në Turqi, si pjesë e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy kombeve.

Presidenti rus Vladimir Putin, në vizitën e tij të parë jashtë vendit që prej rizgjedhjes president më 18 mars, si dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan dhanë në distancë “dritën jeshile” për ndërtimin e impiantit bërthamor të prodhimit rus në Akkuyu, në brigjet e Mesdheut.

Putin e lavdëroi këtë projekt si simbol të rritjes së bashkëpunimit mes Rusisë e Turqisë.

“Përballemi me objektivin ambicioz të nisjes së funksionimit të reaktorit të parë bërthamor në vitin 2023, që do të koinçidojë me themelimin e Republikës së Turqisë”, tha Putin gjatë ceremonisë së të martës. “Kemi rënë dakord me mikun tim të dashur, presidentin Recep Tayyip Erdogan, që të bëjmë gjithçka të nevojshme për përmbushjen e këtij objektivi”.

Erdogan tha se impianti bërthamor do të përmbushë 10 për qind të nevojave për energji të Turqisë, pasi të gjithë reaktorët të bëhen funksionalë.

“Në këtë mënyrë, ne do ta bëjmë gamën tonë të energjisë, që varet ende nga nafta, gazi natyror dhe qymyrguri, më të fuqishme”, shtoi ai.

Impianti në Akkuyu do të ndërtohet nga agjencia ruse e energjisë bërthamore “Rosatom”. Projekti përllogaritet të kushtojë rreth 20 miliardë dollarë.

Turqia dhe Rusia kanë lënë mënjanë “rivalitetin” tradicional të tyre dhe dallimet mbi një sërë çështjesh rajonale, në mënyrë që të përforcojnë marrëdhëniet. Putin e Erdogan janë takuar disa herë gjatë vitit të kaluar, ndërsa flasin thuajse rregullisht në telefon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA