VMRO-DPMNE-ja ka vendosur t’i japë fund bojkotimit të parlamentit, të cilit opozita maqedonase i qëndroi larg për disa muaj, që prej arrestimit të pesë ligjvënësve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017.

Kreu i VMRO-së Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se partia e tij “do të gjejë rrugë të reja për t’iu kundërvënë në mënyrë sa më efikase asaj që e cilësoi një “qeveri kriminale dhe të paaftë dhe politikave kundër shtetit që po zbatohen nga shumica parlamentare”.

Mickovski paralajmëroi se lëvizja e parë e grupit parlamentar të VMRO-së do të jetë ngritja e një mocioni votëbesimi ndaj qeverisë, e cila sipas tij “ka humbur besueshmërinë, nuk punon për të mirën e qytetarëve dhe po e shtyn vendin drejt humnerës”.

Ai theksoi se gjatë periudhës sa nuk kanë qenë ligjvënësit e partisë së tij, parlamenti ka miratuar një duzine ligjesh të rëndësishme pa u konsultuar me opozitën, siç është ligji për administratën, që në sytë e drejtuesit opozitar, është një mekanizëm përmes të cilit pushteti po përgatitet për revanshizëm partiak dhe përjashtime nga puna.

VMRO-DPMNE-ja ka 42 deputetë në parlamentin prej 120 vendesh të Maqedonisë, ku një mocion votëbesimi kalon me shumicën e thjeshtë të 61 votave.

Koalicioni qeveritar ndërkohë sipas VOA-s, ka gjasa të rritet sepse kryeministri Zoran Zaev po zhvillon këto ditë bisedime me partine e turqve, me dy krahët e Lëvizjes Besa dhe me Partinë Socialiste, por edhe me mbështetjen e tyre sërish e ka të vështirë të sigurojë dy të tretat e votave në parlament për një sërë çështjesh, siç janë ndryshimet kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA