Sot është 1 prilli dhe ne donim t’ju njoftonim se Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë rënë dakord për formimin e një qeverie të përbashkët të integrimit europian. Por rreziku që të na akuzojnë si media kazani që shpërndan fake neës, pra lajme të rreme, është i madh. Ndaj, vendosëm t’ju sjellim një përmbledhje të disa lajmeve nga bota të 1 prillit, trasmetuar në vende që kanë një sens të vërtetë humori.

Mediat prestigjoze janë tunduar gjithmonë nga 1 prilli. Raportimet e tyre këtë ditë kanë rivalizuar në fantazi. Përshembull BBC-ja britanike ka raportuat më 1 prill 1980 se ora e Big Benit mund të zëvendësohej me një orë dixhitale, kurse televizioni francez më 1 prill 1964 njoftoi se Kulla Eiffel do të zhvendosej, sepse themelet ishin bërë të paqëndrueshëm nga lumi i Senës dhe në vend të saj do të ndërtohej një stadium. Pavarësisht përgënjeshtrimeve të shumta që zbuluan shakanë, shumë francezë u bindën për vërtetësinë e këtij lajmi.

Më 1 prill 1962 televizioni suedez SVT (Sverige Television) nxori në lajme ekspertin e vet teknik Kjell Stensson që të informonte publikun se në sajë të një teknologjie të re teleshikuesit mund ta konvertonin sinjalin ekzistues bardh e zi, në sinjal me ngjyra. Asokohe kishte vetëm një kanal televiziv në Suedi dhe ai transmetonte në bardh e zi ndaj ky qe një lajm i madh për kohën. Tekniku Stensson shpjegoi se e gjithçka që duhet të bënin teleshikuesit ishte që të vendosnin një copë nejloni përpara ekranit dhe drita do të përthyhej në mënyrë të atillë që imazhet të shfaqeshin me ngjyra.

Vetë eksperti e demonstroi këtë proces në ekran. Me mijëra vetë e besuan. Madje shumë suedezë kujtojnë ende sot se si prindërit e tyre rendnin të nxirrnin nga sirtarët çorape nejloni për t’i vendosur përpara televizorëve. Në fakt transmetimet e rregullta me ngjyra në Suedi filluan 8 vjet më vonë, më 1 prill 1970.

Më 1 prill 1976 gjatë një interviste herët në mëngjes herët në radio BBC 2, astronomi i njohur britanik sir Patrick Moore njoftoi se në orën 9:47 të asaj dite do të ndodhte një ngjarje astronomike unikale. Plutoni do të kalonte prapa Jupiterit dhe kjo radhitje e planetëve do të pakësonte gravitetin e Tokës. Moore u tha dëgjuesve të tij se nëse ata kërcenin në ajër në momentin e saktë të shtrirjes së planetëve, ata do të përjetonin një ndjesi të çuditshme fluturimi në ajër. Kur mbërriti ora 9:47 stacioni i radios filloi të merrte qindra telefonata nga dëgjuesit që pretendonin se kishin provuar ndjesinë. Një grua raportoi se ajo dhe miqtë e saj ishin ngritur nga karriget e tyre dhe lundronin rreth dhomës.

Një vit më vonë, më 1 prill 1977, humori britanik u shpalos në gazetën prestigjioze The Guardian që publikoi një suplement prej 7 faqesh për republikën e vogël të San Serriffes, që përbëhej prej shumë ishujsh të vegjël në oqenin Indian. Një seri shkrimesh përshkruanin gjeografinë dhe kulturën e këtij kombi të panjohur. Dy ishujt e vet kryesorë quheshin Upper Caisse dhe Louer Caisse, kurse kryeqytet ishte Bodoni dhe kryetar shteti gjenerali Pica.

Telefonët e The Guardian tringëllinë gjatë gjithë ditës, kurse lexuesit kërkonin më shumë informacione për këtë vend ideal pushimesh idilike. Suksesi i këtij lajmi të pavërtetë nxiti në vitet në vazhdim tabloidët britanikë në publikimin e lajmeve të tillë për 1 prill.

Nuk mbeten pas edhe amerikanët. Më 1 prill 1992 radio publike kombëtare në Shtetet e Bashkuara njoftoi se Richard Nixon, presidenti që i dha fund luftës së Vietnamit, që u zgjodh për dy mandate rresht, por që mandatin e dytë e ndërpreu në mes i detyruar të dorëhiqet më 1974 nga skandali i Uatergate, kishte vendosur në një lëvizje surprizë të kandidonte sërish si president.

Slogani i fushatës së tij ishte “nuk bëra asgjë gabim dhe do të bëj sërish njësoj”. Njoftimi ilustrohej me klipe audio të zërit të Niksonit që njoftonte kandidaturën e tij.

Dëgjuesit u kundërpërgjigjën me tronditje dhe zemërim. Vetëm gjatë gjysmës së dytë të emisionit drejtuesi John Hockenberry zbuloi se njoftimi ishte një shaka, kurse zëri i Niksonit ishte imituar nga aktori Rich Little.

4 vjet më vonë, më 1 prill 1996 kompania pronare e zinxhirit të fast-food-eve amerikanë Taco Bell bleu nga një faqe reklamë në 6 gazeta të mëdha dhe njoftoi se kishte blerë kambanën e lirisë, Liberty Bell, simbol i pavarësisë amerikane. Sipas gojëdhënës, kambana kishte kumbuar fiks pas firmosjes së deklaratës së pavarësisë së shteteve të bashkuara më 4 korrik 1776.

Më qindra qytetarë të fyer nga kjo i telefonuan Parkut kombëtar historik të Filadelfias, ku ndodhet kambana, për t’i shprehur zemërimin e tyre. Gjërat u qetësuan vetëm disa orë më vonë kur Taco Bell zbuloi se bëhej fjalë për një shaka të 1 prillit.

Kulmi i asaj dite ishte kur Sekretari për Shtypin i Shtëpisë së Bardhë Mike McCurry u pyet për shitjen e kambanës. Duke vendosur aty për aty me kokën e vet Sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë u përgjigj se edhe Memoriali Lincoln ishte shitur gjithashtu. Tani do të njihej, siç tha ai, si Ford Lincoln Mercury Memorial.

Më 1 prill 2011 edhe Yahoo publikoi lajmin se Cate Middleton nuk po e duronte më presionin e përgatitjeve për martesë dhe për këtë arsye kishte prishur fejesën me princin Uilliam.

Lajmeve të 1 prillit iu bashkua edhe Vatikani, i cili më 1 prill të vitit 2014, përmes revistës katolike Kredere, njoftoi se nga Selia e Shenjtë do të përdorej një fajkua me emrin Silvia për të mbrojtur pëllumbat e papës nga sulmet e korbave.

Por të gjithë bien dakord se vendin e parë të lajmeve të 1 prillit e mban një reportazh tjetër i BBC. Më 1 prill 1957 emisioni i përjavshëm i aktualitetit i BBC “Panorama”, shumë i respektuar për seriozitetin dhe trajtimin e thellë të aktualitetit, njoftoi se në sajë të një dimri të butë dhe të zhdukjes së mizës së tmerrshme të spagetit, fermerët zvicerianë të kantonit të Tiçinos po i gëzoheshin një prodhimi të bollshëm të spagetit.

Reportazhi prej 3 minutash shoqërohej pamje të njerëzve që tërhiqnin fijet e spagetit nga pemët. Shumë teleshikues e besuan dhe BBC u mësy nga telefonata të shumta teleshikuesish që e pyesnin se si mund t’i kultivonin ata vetë pemët e spagetit.

Përgjigjja diplomatike e BBC ishte se mund të fusnin një fije spageti në një kavanoz me salcë domate dhe të prisnin. Madje edhe drejtori i përgjithshëm i BBC pranoi më vonë se kur kishte parë reportazhin kishte kontrolluar në një enciklopedi nëse ishte e vërtetë që spagetit rriteshin në këtë mënyrë, por enciklopedia nuk kishte informacione për këtë temë.

Ky transmetim mbeti për shumë kohë më popullori mes shakave të 1 prillit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA