“Lakuriqi i natës”, më 31 mars premiera në Teatrin e Operas

30/03/2018 10:10

Artistët e TKOB-së kanë nisur provat për të ngjitur më 31 mars në skenën e Pallatit të Kongreseve produksionin më të ri, operetën “Lakuriqi i natës”.

Branimir Agovi vjen enkas nga Austra për rolin e Gabrielit, e së bashku me Eva Golemin, Vikena Kamenicën, Armaldo Kllogjerin e shumë të tjerë, do të sjellin pas një dekade mungesë në skenën shqiptare operetën “Die Fledermaus”.

Mexosopranoja Vikena Kamenica thotë: “Rolet e pantallonave janë rolet e preferuara të miat, janë këta adoleshentët e një moshe shumë të re dhe që kanë akoma atë feminilitetin në gjestet e tyre dhe Orlofsky është një nga këta. Pak arrogant, e shet veten më i madh se ç’duket, por është shumë interesant”.

Ndërsa Armando Kllogjeri shprehet: “Roli i Alfredos për mua vjen pak ndryshe nga rolet e tjera, bëj si të thuash atë djalin mospërfillës ndaj femrave. Të gjitha ato më pranojnë, duke qenë se kam një status të veçantë, jam mësues kantoje pranë princit Orlofsky dhe kjo më bën më evident”.

“Lakuriqi i natës” cilësohet si pjesa më e bukur e shkruar nga Strauss. Dirigjenti Lazlo Gyuker tregon: “Besoj vërtetë se kjo është opera më e bukur e Strauss-it. Nuk është vetëm e bukur, por është e njohur në mbarë botën sepse teksti dhe muzika janë shkruar në një mënyrë gjeniale nga dramaturgu, pasi shkrihen në një. Kjo e ka bërë që të jetë kaq shumë e njohur në botë”.

I ftuari special në operetën “Lakuriqi i natës” do të jetë tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Saimir Pirgu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA