Vetëm pak ditë më parë festoi 23-vjetorin e lindjes, por si Strakosha nuk gjen tjetër sa i përket rolit si portier.
Në kampionatin italian, Serie A, gardiani i portës së Lacios dhe Shqipërisë është lojtari më i shfrytëzuar. Një renditje që duket se e ndan së bashku me brazilianin Alisson të Romës, me 2610 minuta në fushë, ose e thënë ndryshe asnjë të humbur nga këto 29 javë të kampionatit.
Megjithatë, portieri i verdhekuqve romanë ka pushuar në ndeshjet e Kupës së Italisë. Kjo bën edhe diferencën mes tyre, prej plot 500 minutash, pasi Thomas Strakosha nuk ka munguar as atje, në asnjë ndeshje.
Edhe në Europa League ai ka qenë i preferuari i trajnerit Simone Inzaghi.
Në total, 42 ndeshje dhe plot 3810 minuta mes kuadratit dhe përpara ka një fundsezoni ku duhet të shfaqë ndoshta më shumë sesa më e mira e tij, pasi Lacio pret shumë prej tij.
Jo vetëm që ka 8 ndeshje pa pësuar gol, shqiptarit të lacialëve i faturohen të paktën 12 pikë të këtij sezoni. Komplimentet i meriton jo vetëm për rritjen e pabesueshme, por edhe për vazhdimësinë që ka shfaqur me performancat e tij, mbi të gjitha për besueshmërinë që i ka ofruar Lacios.
Zëvendësit të tij, Vargiç i janë ofruar vetëm dy ndeshje për të treguar potencialin, e prej atëherë asnjëherë nuk ka mundur ta lërë pushim Strakoshën.
Top Channel