Stacioni hapësinor kinez rrezikon edhe Shqipërinë

27/03/2018 18:01

Stacioni hapësinor kinez, Tiangong-1 i dalë jashtë kontrollit, pritet të bjerë në Tokë dhe sipas shkencëtarëve kjo pritet të ndodhë nga 30 marsi deri në 2 prill edhe pse situata është shumë e paparashikueshme.

Vetë zyrtarët kinezë kanë thënë se presin që laboratori hapësinor të rihyjë në atmosferë mes 31 marsit dhe 4 prillit, duke u djegur gjatë procesit. Edhe pse përbën një kërcënim minimal për njerëzit, rënia e stacionit kinez është një telash për programin hapësinor kinez. Stacioni 8.5 tonësh, doli nga kontrolli më 16 mars 2016 dhe autoritetet kineze nuk kanë dhënë asnjë arsye për këtë. Ekspertët ndërkohë nënvizojnë se rreziku i mundshëm për njerëzit është minimal.

Mundësia që mbetjet e stacionit të godasin njerëzit është më e vogël se një në një trilion. Sipas ekspertëve, stacioni pritet të digjet gjatë hyrjes në atmosferë, ndërsa ndonjë pjesë e vogël mund të bjerë në det.

Ndërkohë, sipas Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA) mbetjet mund të bien në një shtrirje të gjërë nga 43 gradë ne veri deri në 43 gradë në jug të Ekuatorit.

Tiangong 1 u lëshua në hapësirë në shtator 2011. Bashkë me pasuesin e tij, Tiangong 2, ishte prototipi për objektivin final të Kinës, një stacion hapësinor 20 tonësh që pritet të lëshohet rreth vitit 2022.

Hera e fundit kur një stacion hapësinor ra në Tokë ishte në 2001, kur stacioni hapësinor rus 135 tonësh, Mir, u fut në atmosferë por në mënyrë të kontrolluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA